nga Arnaud Leparmentier
E hëna e 29 shtatorit, shënoi një fitore të madhe financiare për Jared Kushner. Në moshën 44-vjeçare, dhëndri i Donald Trump dhe bashkëshorti i Ivanka Trump, u bë qendra e lajmeve botërore pas blerjes gjigante të kompanisë amerikane të videolojërave Electronic Arts, me vlerë 55 miliardë dollarë. Marrëveshja u realizua përmes firmës së tij Affinity Partners, në bashkëpunim me investitorin amerikan Silver Lake dhe Fondin Sovran të Arabisë Saudite (PIF).
“Arti i marrëveshjes i Jared Kushner,” shkroi Financial Times, ndërsa The Wall Street Journal e përshkroi si “njeriun kyç” në blerjen më të madhe private në histori, një lëvizje që hap rrugën për investime saudite masive në SHBA.
Por përveç suksesit financiar, kjo ditë shënoi edhe rikthimin politik të njeriut që kishte qenë arkitekti i Marrëveshjeve të Abrahamit (2020) mes Izraelit dhe vendeve arabe si Emiratet, Bahreini e më pas Maroku e Sudani. Kushner ishte në konferencën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, ku Trump paraqiti planin për përfundimin e luftës në Gaza, në krah të Benjamin Netanyahu-t. Një ditë më parë, ai kishte takuar kryeministrin izraelit në Nju Jork, ndërsa më pas udhëtoi drejt Egjiptit për të negociuar lirimin e pengjeve të Hamasit.
Dy jetët e Kushner: diplomacia e Riadit dhe miliardat e investimeve
Kushner, i cili sot ka një pasuri që Forbes e vlerëson rreth 1 miliard dollarë, vazhdon të zgjerojë marrëdhëniet financiare me Arabinë Saudite, ndërsa paralelisht rikthehet në misione diplomatike në Lindjen e Mesme, në emër të vjehrrit të tij.
Por shumë analistë flasin për konflikt interesi të paprecedentë. Arabia Saudite po kërkon të investojë masivisht në SHBA, ndërsa Uashingtoni ka nevojë për miratimin dhe miliardat saudite për rindërtimin e Gazës.
Sipas vetë Kushner, “pronat buzë detit në Gaza mund të kenë vlerë të jashtëzakonshme”, një deklaratë që ka ngjallur reagime të ashpra. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i quajti këto akuza “të neveritshme”, duke pretenduar se “Jared po i shërben paqes botërore”.
“Sauditët i paguajnë dhëndrit të Trump dhjetëra milionë në vit”
Kritikat kanë ardhur prej kohësh. Si këshilltar i Trump në vitin 2017, Kushner ndihmoi në afrim me Riadin, madje personalisht negocioi me Lockheed Martin për të ulur çmimin e një kontrate armësh mbi 100 miliardë dollarë. Vetëm gjashtë muaj pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, firma e tij Affinity Partners mori 2 miliardë dollarë nga fondi saudit PIF, edhe pse komiteti vlerësues e kishte kundërshtuar investimin për mungesë eksperience. Vendimi u miratua direkt nga princi Mohammed bin Salman.
Në shtator 2024, senatori demokrat Ron Wyden hapi hetime zyrtare, duke zbuluar se PIF po paguante kompaninë e Kushner rreth 87 milionë dollarë në tarifa menaxhimi. Ai paralajmëroi se fondet saudite “po shfrytëzohen për të kanalizuar paratë e një qeverie të huaj drejt familjes Trump”.
Nga diplomacia në biznesin e video-lojërave
Në marrëveshjen për blerjen e Electronic Arts, Kushner kishte rolin qendror. Ai punoi për një vit me Egon Durban nga Silver Lake dhe bindi Rijadin të bëhej bashkë-investitor. Kjo lëvizje fut Affinity Partners në një tjetër nivel global – me investime që tashmë përfshijnë Emiratet, Katarin, Izraelin dhe Gjermaninë.
Për princin saudit, teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë fusha strategjike. Arabia Saudite tashmë ka krijuar një entitet me 38 miliardë dollarë për investime në videolojëra dhe zotëron 10% të vetë Electronic Arts.
Nga Harvard në Jeruzalem
Kushner, i diplomuar në Harvard dhe NYU, është biri i biznesmenit Charles Kushner, dënuar për mashtrim tatimor në 2005 dhe falur nga vetë Trump në 2020. I rritur në një familje hebreje ortodokse, ai u martua me Ivanka-n në 2009.
Në intervista të fundit, ai e pranoi se “punën për Lindjen e Mesme e mori thuajse rastësisht”. Por kjo “rastësi” solli Marrëveshjet e Abrahamit dhe miliarda dollarë investimesh që e pozicionuan si njeriun që ndërthur diplomacinë me interesin ekonomik.
Kushner, Lindja e Mesme dhe Ballkani
Sot ai promovon bashkëpunimin midis teknologjisë izraelite dhe kapitalit të Gjirit Persik, duke deklaruar se “biznesi mund të sjellë paqe më shpejt se diplomacia”. Investimi i tij në kompaninë izraelite Phoenix Holdings (me 170 miliardë dollarë në menaxhim) shihet si pjesë e të njëjtit rrjet ekonomik që po e bashkon Izraelin me vendet arabe.
Por raportet zbuluan se Phoenix ka aksione në kompani që operojnë në vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor, çka e vë sërish Kushner në qendër të debatit etik.
Siç ndodhi edhe në Shqipëri dhe Serbi, ku ai ka investuar në projekte të mëdha ndërtimore, Kushner e justifikon praninë e tij me argumentin se “po investon në rajone të lëna pas dore, që po shndërrohen në valën e re të rritjes”.
Në rastin e Ballkanit, investimet e tij janë parë me kujdes të shtuar nga Brukseli, pasi ndërthurin kapitalin nga Lindja e Mesme me projekte strategjike në një zonë të ndjeshme gjeopolitikisht. Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Serbia janë bërë për Kushner terrene të reja për të testuar modelin e tij të ndërthurjes midis politikës, pasurive dhe ndikimit ndërkombëtar, një formulë që mund të ndryshojë balancat e ardhshme ekonomike në rajon. / “Le Monde”