Mesditën e të enjtes, dy automjete të Prokurorisë së Fierit parkuan në oborrin e SPAK, duke zbarkuar mijëra faqe të fashikullit hetimor të dosjes “Bankers”. Hetim i regjistruar më herët në Fier dhe ndjekur aty me disa masa sigurie.
Por pas vendimit të Apelit që la në fuqi masat e kërkuara nga Fierit, tashmë ky institucion vendosi ta kalojë dosjen në SPAK. Gazetari i njohur Arsen Rusta raportoi se elementi i vetëm që ka bindur hetuesit në Fier të heqin dorë nga dosja është funksionimi i të dyshuarve si një grup kriminal.
Pjesë e hetimeve tani, përveç zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bankers Petroleum, do të jenë edhe kompanitë e hidrokarbureve që kanë kryer aktivitet tregtar me Bankers, aktivitet i cili sipas hetimit tatimor dhe Prokurorisë së Fierit deri më tani ka qenë me fatura fiktive në të shumtën e rasteve. Burime sqaruan se do të verifkohen edhe veprimet e Bankës Raiffeisen e cila ka lejuar prekjen e llogarive bankare të Bankers edhe pse ishin nën sekuestro si dhe të gjitha kompanive të dyshuara për faturime fiktive.
Brenda javës së ardhshme të dyshuarit do të ridalin para gjykatës së posaçme për tu njohur me akuzën e re dhe masat.
Masat e marra nga gjykata e Fierit dhe Apeli i Përgjithshëm
Masa “arrest me burg” për:
Leonidha Çobo
Hongping Xiao
Masa “arrest në shtëpi” për:
Lianyi Wang
Ardit Kero
Flavia Capo
Kledi Xhani
Ndryshim mase në “detyrim paraqitje” për:
Doina Goga
Masa “detyrim paraqitje”, revokohet ndalimi i udhëtimit jashtë vendit për:
Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj