Analisti Lavdrim Lita, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka reaguar mbi ngjarjen tronditëse të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke e lidhur këtë krim me problemin e thellë të armëve në qarkullim në Shqipëri.
Sipas Litës, të dhënat alarmante tregojnë se vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti, në Shqipëri janë regjistruar 213 incidente me armë zjarri.
“213 incidente janë shumë për një vend të vogël si Shqipëria,” tha Lita.
Ai shtoi se një nga burimet kryesore të armëve që qarkullojnë në territorin shqiptar janë vendet fqinje: “Këto Berettat, armët e vogla që qarkullojnë nga Mali i Zi, Serbia drejt Shqipërisë, duhet të jenë objekt hetimi i thelluar nga Policia e Shtetit dhe shërbimet e inteligjencës,” theksoi ai.