Një mjet superluksoz, ‘Lamborghini Urus’ që qarkullonte nëpër rrugët e Tiranës është sekuestruar pas një operacioni të finalizuar nga blutë e Tiranës në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin dhe Pastrimit të Parave.
Mjeti, me ngjyrë portokalli, kap një vlerë të majme prej 160 mijë erosh dhe dyshohet se pronari e ka përfituar nga veprimtaria kriminale.
Pronari, Sahit Shpataj 34-vjeçar, ishte duke qarkulluar me mjetin luksoz në aksin rrugor “Sauk-TEG”, kur policia finalizoi operacionin “Manovra” dhe e ndaloi të riun për t’i komunikuar vendimin e sekuestros.34-vjeçari Sahit Shpataj, për të fshehur të ardhurat e tij që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale, kishte regjistruar mjetin luksoz në emër të një kompanie private ndërtimi në pronësi të Ervin Dullës.
Sahit Shpataj, i cili jeton përgjithësisht në Amerikën Latine, ka refuzuar ti ndalojë dy herë policisë për kontroll.
Por së fundmi blutë pasi e kanë ndaluar kanë konstatuar se Lamborgini ishte i regjistruar në emër të kompanisë private.
Sipas policisë kjo është bërë për të justifikuar vlerën dhe origjinën e parave.
Blutë kanë nisur hetimin jo vetëm për poseduesin e mjetit, por edhe pronarin e kompanisë që kishte regjistruar mjetin sikur të ishte në përdorim të biznesit që ai zotëronte.