Vetëm pak ditë pas raportit të Departamentit të Shtetit mbi klimën e investimeve, i cili theksoi korrupsionin dhe kapjen politike si pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik, një tjetër dokument i rëndësishëm nga Uashingtoni vendos sërish qeverinë shqiptare nën lupë. Raporti vjetor për Trafikun e Qenieve Njerëzore e mban Shqipërinë në nivelin “Tier 2”, duke theksuar se vendi ynë nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e këtij fenomeni.
Në dokument thuhet qartë: “Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, qeveria ka treguar një rritje të përgjithshme të përpjekjeve; për këtë arsye, Shqipëria mbeti në Tier 2.”
Raporti njeh disa hapa përpara, si rritjen e numrit të hetimeve dhe dënimin e trafikantëve për herë të parë që nga viti 2021, rritjen e fondeve për strehëzat shtetërore dhe ato të OJQ-ve, si dhe ofrimin e ndihmës ligjore për më shumë viktima. Gjithashtu, përmendet miratimi dhe financimi i Planit Kombëtar të Veprimit 2024-2025.
Por pavarësisht këtyre, Departamenti i Shtetit thekson se qeveria shqiptare nuk ka arritur të përmbushë standardet në disa fusha thelbësore. Në raport nënvizohet: “Policia lokale dhe prokurorët e rretheve nuk kishin përvojën dhe kapacitetin e nevojshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e trafikimit dhe shpesh i trajtonin ato si vepra me dënime më të lehta, si ‘shfrytëzim prostitucioni’. Qeveria nuk siguroi personel apo burime financiare të mjaftueshme për njësitë e lëvizshme të identifikimit të viktimave të menaxhuara nga OJQ-të, pavarësisht se ato identifikojnë shumicën e viktimave çdo vit.”
Një nga akuzat më të rënda është fakti se viktimat janë ndëshkuar për akte të kryera vetëm si pasojë e trafikimit. Raporti thekson: “Autoritetet ngarkuan në mënyrë të papërshtatshme viktimat e trafikimit për shfrytëzim seksual me akuza penale për akte të kryera si rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit. Po ashtu, për shkak të zbatimit të pamjaftueshëm të procedurave standarde të identifikimit të viktimave, qeveria nuk mori masa efektive për të parandaluar penalizimin e gabuar të viktimave potenciale.”
Një tjetër problem madhor është mungesa e shërbimeve afatgjata për viktimat dhe pasiviteti i strukturave zyrtare: “Qeveria nuk kishte burime për të ofruar shërbime afatgjata për viktimat, dhe koordinatori kombëtar dhe Zyra Kombëtare Kundër Trafikimit rrallë mblodhën mekanizmat e koordinimit për zbatimin efektiv të procedurave të identifikimit dhe referimit të viktimave.”
Pjesa më e rëndë e raportit lidhet me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e zyrtarëve shtetërorë. Departamenti i Shtetit shënon: “Qeveria nuk raportoi asnjë hetim, ndjekje penale apo dënim të punonjësve shtetërorë të përfshirë në krime të trafikimit të qenieve njerëzore; megjithatë, korrupsioni dhe bashkëpunimi i zyrtarëve në trafikim mbeten shqetësime serioze.”
Ky pasazh ekspozon dështimin e Tiranës për të çuar para drejtësisë zyrtarë të përfshirë në krime kaq të rënda, duke treguar se korrupsioni nuk është thjesht problem i klimës së investimeve, por edhe i sigurisë dhe të drejtave të njeriut.
Në rekomandimet prioritare, Uashingtoni kërkon që Shqipëria të hetojë dhe ndëshkojë seriozisht të gjitha rastet e trafikimit, përfshirë zyrtarët e korruptuar, të rrisë bashkëpunimin me strehëzat dhe OJQ-të, të forcojë trajtimin e viktimave me shërbime afatgjata dhe të trajnojë gjyqtarë, prokurorë e policë për t’i qasur rastet me një perspektivë të ndjeshme ndaj viktimave.9