Studiesi Stefan Çapaliku përmes një komunikimi publik ka njoftuar se “Studime për artin” tashmë është indeksuar në Central and Eastern European Online Library (CEEOL).
Kemi kënaqësinë të ndajmë lajmin se revista “Studime për artin” tashmë është indeksuar në Central and Eastern European Online Library (CEEOL): https://www.ceeol.com/search/journal-detail?id=4446.
“Studime për artin”, që sivjet feston 30-vjetorin e botimit, është organi shkencor i Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe njëherazi periodiku më i rëndësishëm shkencor kushtuar çështjeve që kanë të bëjnë me teorinë, praktikën dhe historinë e artit në Shqipëri. CEEOL është një ndër burimet kryesore të literaturës shkencore nga dhe mbi Evropën Qendrore, Lindore e Juglindore në lëmin e shkencave humane dhe sociale. Databaza e CEEOL numëron mijëra tituj, ku përfshihen, krahas revistave elektronike, edhe librat elektronikë si dhe dokumente të së ashtuquajturës “literaturë gri”. Indeksimi në CEEOL do t’i sjellë një dukshmëri më të madhe revistës “Studime për artin” dhe veprimtarive kërkimore të Qendrës së Studimit të Arteve.
