Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, është ndalur së fundmi tek çështja e pasurisë së saj dhe familjes. E ftuar në emisionin “Log”, Kryemadhi u pyet lidhur me pasurinë e saj, e cila theksoi se pasuria e vërtetë për të nuk janë paratë, por familja.
“Pasuria nuk janë paratë, pasuria për mua është familja. Sepse mund të kesh paratë, por të shtyp makina sa del në rrugë. Unë nuk jam e pasur dhe as e varfër.”, u shpreh Kryemadhi, teksa më tej vijoi duke sqaruar të ardhurat e familjes së saj ndër vite.
Kryemadhi kujtoi periudhën që nga viti 1995, kur apartamenti i saj tek “Shallvaret” ishte dhënë me qira përmes kontratave të noterizuara dhe deri në vitin 2006, ku shtoi se prej 9 vitesh familje e saj kishte përfituar rreth 200 mijë dollarë vetëm nga qiratë e pronave.
Në vijim, Kryemadhi u ndal tek pretendimet e SPAK lidhur me shitjen e një apartamenti në Qerret, duke theksuar se gjithçka është deklaruar ligjërisht, ndonëse prokurorët sipas saj kanë “mbyllur sytë” dhe pretendojnë të kundërtën.
“Në 2002 kemi blerë një apartament në Qerret dhe ky apartament është shitur në 2006. Në dosjet e SPAK pretendohet se nuk e kam deklaruar, por unë dhe Ilir Meta e kemi bërë deklarimin në atë kohë. Shitja është regjistruar 300 mijë euro cash”, tha Kryemadhi, duke theksuar më tej se dokumentat e noterizuara dhe mandatet e tatimeve të bashkëlidhura me kontratat e qirasë janë prova të qarta të burimeve të pasurisë së familjes.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
Pasuria nuk janë paratë, pasuria për mua është familja. Sepse mund të kesh paratë, por të shtyp makina sa del në rrugë. Unë nuk jam e pasur dhe as e varfër. Kam lindur mes Tiranës. Në 90 u hapën kufijtë, i erdhën kushërinjtë e mamit nga Amerika, Greqia, Gjermania andej nga ishin, por s’po merrem me ata. Unë po e filloj nga 1995, ku unë pallati Shallvare apartamenti im ishte 3 dhoma e një kuzhinë, kam një kontrata qeraje e cila është e bërë me kompaninë turke që filloi ndërtimin për herë të parë të pallateve.
Është një kontrate qiraje, e noterizuar, me 500 dollarë. Nuk po llogaris tim vëlla që punonte, as veten time, as mamanë dhe babain tim që ishin madhor, në 95 ishin nga 50 vjeç. Mos harrojmë që mamaja ime vinte nga Bashkimi i Grave me një rrogë 9 mijë lek, që i thonë sot të ishte 9 milion. 1999, pas katër vitesh vjen kontrata tjetër me 1 milion e gjysmë lek në muaj, prap e noterizuar. në 2001-2006 është një kontratë tjetër qeraje që është me 2.5 në muaj e kjo e noterizuar. Nga 95 deri në 2006 apartamenti im është dhënë me qira. Ka qenë biznes.
Tani përveç kësaj këto kontrata nuk janë si gjithë të tjera, kanë të bashkangjitur edhe mandatet e tatimeve. Nga këto, vetëm nga këto tre kontrata familja ime ka pasur 200 mijë dollarë nga 95 në 2006. Në 2002 kemi blerë një apartament në Qerret dhe ky apartament është shitur në 2006, në dosjet e SPAK pretendon se unë skam deklaruar që e kam shitur këtë apartament.
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta kanë deklaruar në 2006 shitjen e banesës 300 mijë euro cash. Blerja e shtëpisë në Bllok që pretendon se ka bërë pastrim parash nëna ime dhe Ilir Meta. Është blerë 200 mijë euro kredi bankare dhe 200 që vjen nga kjo 300 këtu. E gjithë shpia ime e bllokut është me para të deklaruara.