nga Blerim Latifi
“Mbas fitimit të indipendencës, shqiptarët përgjithësisht kujtuan se gjeti fund puna dhe detyra, që ka secili ndaj atdheut, kurse në realitet puna e rëndë dhe e vêshtirë për themelimin e një shteti, puna që kërkon heroizmên më të madhe në botë, domethënë djersë dhe përpjekje të vazhdueshme bashkë me një tok sakrificash, fillonte pikërisht atje ku mbaronte heroizma provizore për fitimin e pamvarsisë kombëtare. Si konseguencë shohim përnjëherësh luftërat midis elementeve, grupeve dhe njerëzve për të siguruar interesa të veçanta, pa asnjë kujdes për të mirën e përgjithshme të kombit. Në këtë turbullirë të madhe, në këtë trazirë të urrejtur dhe shurdhonjëse, që prodhuan njerëzit e vegjël me interesat e tyre të mallkuara, shohim të mënjanohen një nga një, të zhduken, dhe nga një herë të dërmohen “shkëmbenjtë e rreptë” , “karakteret e mëdhenj”, “idealistët shqiptarë”, ata që e bënë këtë Shqipëri. Vendin e tyre tani po e zinin aventurierët, gënjeshtarët dhe demagogët”.
Kështu shkruante për gjendjen e shtetit shqiptar, pas arritjes së pavarësisë, intelektuali fort i ditur i viteve tridhjetë të shekullit të shkuar Ismet Toto. Fjalitë e tij mund të merren për të përshkruar saktësisht gjendjen politike të Kosovës në 17 vitet pas shpalljes së pavarësisë.
Si në rastin e Shqipërisë, edhe këtu u mendua se me shpalljen e pavarësisë puna ishte kryer, prandaj krejt çfarë mbetej ishte që secili të vraponte pas interesave të tij individuale a grupore.
Tani kjo luftë interesash ka dalë jashtë kontrollit, saqë edhe po shpërtheu Lufta e Tretë Botërore nuk çan më kush kokën për fatin kolektiv të vendit.
Kur rilindasit tanë po bënin përpjekje për ta ngritur këtë komb mbi gërmadhat e Perandorisë Osmane, shpesh atyre u dilte përpara një fakt i hidhur: në shumë raste armiku më i madh i shqiptarëve ishin vetë shqiptarët.