Kë duhet të kandidojë opozita për Bashkinë e Tiranës?

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Prej javësh në media apo meidanet politike por edhe në parlamentin e popullit që janë kafenetë, qarkullon një pyetje që ende s’ka marrë përgjigje:
Kush do të jetë kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës?

Nuk është një pyetje teknike. Është një sfidë ekzistenciale për opozitën. Sepse Tirana nuk është thjesht një bashki. Është zemra politike dhe emocionale e vendit. Është vendi ku humbjet nuk harrohen lehtë dhe ku fitorja mund të ndezë shpresën për gjithë Shqipërinë.

Nëse Partia Demokratike synon realisht të rifitojë besimin e qytetarëve të Tiranës, ajo nuk ka më luksin të bëjë kompromis me kandidatët. Tirana nuk është thjesht një territor për të fituar. Është zemra e Shqipërisë, pasqyra më e qartë e shpresës apo dëshpërimit që ndjen një popull. Sot, ajo ka nevojë për një profil të ri.

PD duhet të zgjedhë një kandidat që mishëron vlerat e djathta – jo si slogan elektoral, por si mënyrë jetese. Duhet një figurë që ka ndërtuar me duart e veta, jo me favore politike, një qytetar i angazhuar, jo një politikan profesionist i konsumuar.
Një njeri që nuk i ka borxhe askujt dhe që nuk ka qenë pjesë e asnjë klani. Sepse vetëm kush nuk u detyrohet të tjerëve, por vetëm kështu mund t’u shërbejë të gjithëve.

Kërkohet një profil që beson në Zot, që e njeh rëndësinë e familjes, që nuk shkel mbi të tjerët për të ngjitur shkallët e karrierës, por i ngjit duke ndihmuar të tjerët. Një njeri që respekton shtetin e së drejtës dhe që nuk e sheh qytetin si një trampolinë personale, por si një mision kolektiv. Kostumi i tij duhet të jetë i pastër, jo vetëm në pamje, por edhe në histori. Sepse tiranasit janë lodhur nga kostume që fshehin prapaskena.

Ky kandidat duhet të vijë nga gjiri i Partisë Demokratike, por jo si produkt i skemave të vjetra të saj. Duhet të përfaqësojë çtensionimin e së djathtës, jo riciklimin e së shkuarës. Duhet të ketë lidhje të vërtetë me qytetin, me rrugët, me lagjet, me hallet dhe shpresat e njerëzve që nuk kanë ku të parkojnë, që nuk shikojnë një dritë dielli nga kaosi urbanë dhe që çdo pemë është zëvëndësuar me një kullë.

Partia Demokratike nuk mund të hyjë në zgjedhjet lokale të Tiranës me një kandidaturë të dobët, që nuk frymëzon dhe nuk përfaqëson askënd. Sepse përballë ka një makineri të fuqishme politike, por edhe një konsum të thellë publik që kërkon ndryshim. Dhe ky ndryshim nuk vjen duke bërë sikur, por duke zgjedhur ndryshe.

Është momenti që opozita të japë një model. Një figurë që bashkon vlerat, qytetin dhe shpresën. Një njeri që e ka jetuar me dinjitet jetën dhe që mund të menaxhojë me ndershmëri qytetin.

Nëse PD e gjen këtë njeri, Tirana nuk fiton vetëm një bashki. Fiton një model. Një mundësi për t’u ngritur nga rrënojat e zhgënjimit dhe për të ecur me kokën lart drejt një të nesërme më të ndershme.

share #Shperndaje

Latest articles

Related articles