Ermal Beqiri, pronari i kompanisë “Soft and Solution” dhe ish-zyrtar i lartë i qeverisë, u paraqit të hënën në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime në kuadër të një hetimi penal mbi abuzimet me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Edhe pse tentoi t’i shmangej kamerave, momentet kur ai u largua me nxitim nga dera e institucionit u fiksuan qartë nga mediat. Fletëthirrja për Beqirin ishte firmosur nga prokurori Ened Gokaj.
Sipas burimeve gjatë ditës së djeshme Beqiri nuk u pyet nga hetuesit e BKH-së, pasi dosja ndaj tij është bashkuar me një tjetër çështje që lidhet po me tenderat e AKSHI-t shkruan vna. Prokurori Gokaj ka evidentuar disa shkelje në procedurat e ndjekura prej tij në periudhën kur mbante funksione në këtë institucion, i cilësuar prej kohësh si një “minierë” tenderash problematike.
Hetimi i prokurorisë nuk është kufizuar vetëm tek procedurat e tenderave të sekuestruara, por ka përfshirë edhe analizimin e transaksioneve financiare të Beqirit dhe kompanive të tij. Nga verifikimet ka rezultuar se ai ka blerë një jaht luksoz me vlerë 930 mijë euro, të regjistruar në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare. Ky transaksion, së bashku me shpenzime të tjera të konsiderueshme, po kalon në filtrin e prokurorëve, ndërsa po verifikohet edhe roli i shtetases rumune.
Ermal Beqiri është denoncuar nga opozita si përfitues i shumicës së tenderave të AKSHI-t. Ai është përmendur shpesh si i lidhur me sektorin e IT-së dhe sistemin TIMS në Ministrinë e Brendshme, si dhe si figurë me lidhje të forta politike e në botën e errët shqiptare. Publiku e njohu për herë të parë vite më parë, kur u shfaq si ekspert në çështjen e njohur të “videos Meta-Prifti”, mbi të cilën u mbështet vendimi për pafajësinë e ish-presidentit.