Mustafa Nano duke komentuar qeverinë e re, tha që kryeministri Edi Rama është sot një lider absolut në Shqipëri, sidomos brenda mazhorancës socialiste.
Ka zgjedhur sërish kryesisht gra, sepse sipas tij me gratë punohet më mirë, gjë që unë s’e di sa e vërtetë është.
Në terma të CV-së dhe përgatitjes akademike, apo karrierave që kanë, s’më duken keq, sidomos disa që janë edhe fytyra të reja. Por nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe.
Ministrat kanë rëndësi kur ata kanë autonomi për të vepruar, e për të treguar se sa vlejnë, dhe ky nuk është rasti i ministrave të Ramës.
Kush pranon të bëhet pjesë e kabinetit “Rama” e ka futur me siguri në llogari që do jenë vartës të Ramës, dhe aq.
Edi Rama është lider absolut, që delegon pushtet ose te të besuarit e vet, ose te Diella. Të tjerët do të jenë numërorë topi.
Po ju jap një provë për këtë. Kur kryeministri po njoftonte emrat e kabinetit asnjëri prej atyre s’dinte gjë. Të gjithë po bënin reagime spontane e po shihnin njëri-tjetrin.
Më shokoi ajo skenë. Sepse është absurde. Njeriu duhet ta dijë se ku do ta emërojnë, sepse ndoshta mund të ketë arsye ta refuzojë një post të caktuar.
Edhe nëse nuk e refuzon, robi ka nevojë të dijë kohë përpara, në mënyrë që të përgatitet, të vrasë mendjen, të planifikojë risitë, nismat, reformat.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë i bie që nuk ka pse ta vrasin mendjen, pasi e vret tjetërkush. E vret mendjen Rama për ta.
Ky është një pushtet i frikshëm. I frikshëm në radhë të parë për Ramën. Unë vetë do isha çmendur po të kisha një pushtet të tillë”, tha ai për MCN