nga Alba Kepi
Për dekada me radhë, shqiptarët kanë jetuar, jetojnë me rubinetë bosh. Fëmijë, të sëmurë, të moshuar – në lagje të tëra, një orë ujë në ditë ka qenë luks. Por askush nga ambasadat nuk foli, as kur qytetarët u detyruan të mbushin bidonë në mesnatë, as kur depozitat u bënë pjesë e mobilimit të çdo pallati. Heshtje totale, sepse mungesa e ujit nuk pengonte takimet institucionale dhe “show-n e zhvillimit”.

Tani që kriza ka trokitur në rezidencat diplomatike – ku ambasadorë e familjet e tyre kanë vetëm 1 orë e 30 minuta ujë në ditë – papritur lind indinjata. Papritur ka shqetësim. Papritur është “problem madhor”.
Por ku ishin zërat e tyre kur shqiptarët vuajtën dekada të tëra pa ujë? Kur ata pinin shampanjë në pritje zyrtare, qytetarët mbushnin bidona në bodrume.
Është cinike të ankohesh vetëm kur preket komforti yt, dhe të mos e quash kurrë skandal mungesën e ujit për qytetarët e vendit ku shërben. Nëse ambasadat donin sinqerisht një Shqipëri europiane, duhej të kishin ngritur zërin prej kohësh për standardet minimale të jetesës: ujin, energjinë, ajrin e pastër, vjedhjen, korrupsionin, krimin, mafien.
Kriza e ujit në rezidencat diplomatike është vetëm maja e një ajsbergu të vjetër: mungesa e ujit të pijshëm, një element jetik, në një vend që pretendon integrimin europian. Ky nuk është thjesht problem teknik; është simptomë e një modeli qeverisjeje që investon për fasadë, për qendra tregtare dhe sheshe, por harron themelin: ujin në rubinet.
Tani që edhe ata e provojnë përditshmërinë shqiptare, ndoshta do ta kuptojnë: integrimi nuk është fasadë me beton dhe drita, por garancia që çdo familje të ketë ujë në rubinet, jo vetëm ambasadat.
Ky është testi i vërtetë i zhvillimit, jo sheshet me kulla e ndriçim LED. Nëse një qeveri nuk siguron dot ujë për qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike, çdo premtim për “Shqipërinë që duam” mbetet vetëm një shfaqje. Dhe shfaqjet nuk shuajnë etjen.
🇦🇱Uji