Albin, a e di që pa SHBA na kthen në 1999?!

spot_img
Advertisements

Nga Ermal Peçi

Vendimi i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar përkohësisht dialogun strategjik me Kosovën nuk është më një paralajmërim diplomatik – është një kambanë alarmi që bie fuqishëm mbi politikën e Albin Kurtit dhe qasjen e tij kokëfortë ndaj ndërkombëtarëve. Nëse kjo sjellje vazhdon, Kosova nuk rrezikon thjesht marrëdhënien me aleatin e saj më të madh – por rrezikon të përmbyset drejt një izolimi të rrezikshëm. Një izolim që na kthen realisht në vitin 1999: të vetëm, të pambrojtur dhe të padëgjuar.

Albin Kurti erdhi në pushtet si simbol i ndryshimit, i një Kosove që fliste me zë të vetin dhe që nuk nënshtrohej. Por qeverisja nuk është tribunë për retorikë të zjarrtë. Qeverisja kërkon maturi, mençuri, pragmatizëm dhe mbi të gjitha: ALEANCA. E kur flasim për aleanca, s’ka asnjë më jetike për Kosovën se ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fatkeqësisht, Kurti vijon të sillet si aktivist, jo si kryeministër. Kjo bëhet përditë e më e qartë në kaosin politik që ka kapluar Kosovën.

Është absurde të çosh përtej kufirit të durimit diplomacinë amerikane, pikërisht ata që, në vitin 1999, dolën kundër gjithë botës për të na shpëtuar nga një makineri gjenocidale. Nuk duhet të jesh historian për të kuptuar se pa ndërhyrjen e SHBA-ve, Kosova sot nuk do të ishte një republikë e lirë, me institucione, pasaportë dhe të drejtë fjale.

Retorika e zjarrtë e Kurtit, shoqëruar me frymën e përçuar tek mbështetësit e tij, po e ngatërron sovranitetin me izolimin. Të mbrosh sovranitetin nuk do të thotë të ndërrosh aleatët me ideologji, as të ngujosh shtetin në një bunker simbolik. Refuzimi për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave Serbe, në mënyrën si po e bën Kurti, nuk është akt i mbrojtjes së shtetit. Është pengesë për integrimin euro-atlantik. Më keq akoma: është kthyer në armë politike të brendshme për të fituar pikë nacionaliste, në kurriz të një procesi që kërkon durim, dialog dhe mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Për herë të parë që nga çlirimi, Shtetet e Bashkuara nuk e fshehin më zhgënjimin. Kjo nuk është një deklaratë e zakonshme për shtyp, është një sinjal i qartë dhe i ashpër, që do të pasohet me veprime reale. Dialogu strategjik ishte ura që lidhte Kosovën me prioritetet amerikane. Kur ajo urë mbyllet, Kosova mbetet në një ishull diplomatik, ku askush nuk dëgjon më.

Është iluzion të mendosh se Bashkimi Evropian do të jetë garanci pa praninë dhe presionin amerikan. Historia ka treguar se vetëm SHBA ka pasur kurajon dhe mjetet për të imponuar paqen në Ballkan. Ata nuk janë thjesht partnerë, janë shpëtimtarë. Nuk na ndihmuan për të na kontrolluar, por sepse besuan tek ne, si një popull që meritonte liri dhe dinjitet. Ta përbuzësh këtë ndihmë, është ta përbuzësh vetë themelin e shtetit që sot drejton Kurti.

Në vend që të kërkojë sherr me çdo partner ndërkombëtar, Albin Kurti duhet të zbresë me këmbë në tokë. Kjo nuk është më një betejë për çlirim. Është një betejë për mbijetesë ndërkombëtare, për njohje, për ekonomi, për investime, për të ardhmen. Kjo e ardhme nuk ndërtohet me konfrontim, por me bashkëpunim.

Albin Kurti ka fatin e madh që Kosova ka pasur një politikan vizionar dhe shtetformues, i cili kuptonte marrëdhëniet gjeostrategjike dhe rëndësinë e SHBA në Ballkan sidomos për faktorin shqiptar dhe ky ishte Ibrahim Rugova . Kurti ka ende ç’të mësojë nga urtësia dhe vizioni i Rugovës, por jo nga reminishencat historike që plagosën dhe përçanë faktorin shqiptar në Ballkan. Historia duhet të na udhëheqë, jo të na burgosë.

Nëse Kurti nuk tërhiqet nga rruga e izolimit, historia nuk do ta mbajë mend si kryeministrin që konsolidoi shtetin, por si njeriun që prishi themelet e aleancës më të rëndësishme që Kosova ka pasur ndonjëherë.

Latest articles

Related articles