SPAK zbardh agjendën e diskutimeve të kreut të SPAK, Altin Dumani me drejtuesit e FBI dhe DEA-s në Uashington disa ditë më parë.Përmes një njoftimi për shtyp, SPAK bën me dije se Altin Dumani në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Uashington, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator.
Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
“Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Gjithashtu drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht
Gjatë konferencës, Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve