Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se qeveria greke do ta njohë shtetin e Palestinës, duke theksuar se dilema mbetet vetëm “kur dhe si” do të ndodhë kjo njohje.
Gjatë konferencës për shtyp në Forumin Ndërkombëtar të Selanikut (TIF), Mitsotakis u pyet lidhur me zhvillimet në Rripin e Gazës dhe qëndrimin e Athinës zyrtare ndaj Palestinës.
Ai theksoi se Greqia ka dënuar ashpër humbjet e jetëve civile dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke shtuar se këto qëndrime i janë përcjellë edhe udhëheqjes izraelite.
“Ne kemi një aleancë strategjike me Izraelin. Kjo nuk na ka penguar të kritikojmë atë që po ndodh në Gaza dhe të këmbëngulim për zgjidhjen me dy shtete. Kriza humanitare duhet të ndalet. Qeveria greke do ta njohë shtetin e Palestinës. Pyetja është se kur dhe si”, deklaroi Mitsotakis.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po shqyrtojnë njohjen zyrtare të Palestinës si shtet, në përpjekje për të shtyrë përpara një zgjidhje politike të qëndrueshme në Lindjen e Mesme