“Ka frikë nga unë, në Shqipëri nuk ka dënim me vdekje” – Av. Ngjela përballet me vëllain e viktimës

spot_img
Advertisements

Hakmarrja…

Para disa vitesh një avokati të njohur në Tiranë i erdhi në zyrë një person i verdhe dylli në fytyrë dhe me sy të zgurdulluar.
Ai kishte tre ose katër ditë që e kërkonte dhe avokati e priti.
Avokat – i tha ai që në fjalën e parë të tij – mua më kanë vrarë vëllanë dhe unë e di se kush e ka vrarë, sepse e njoh vrasësin.
Por ti çfarë kërkon nga unë dhe, a keni ushtruar ju në prokurori një denoncim? – e pyeti avokati.
Unë dua të ushtroj hakmarrjen time kundër vrasësit të vëllait tim – i tha ai.
Në këto çaste avokati uli sytë dhe vështroi tëposhtë mbi tryezën ku ishte ulur, por duke ngritur sytë drejt tij, i tha në një formë pyetjeje:
Po pas kësaj vrasjeje që ti do të kryesh, a e ke parashikuar se çfarë mund të ndodhë për ty?
Le të ndodhë çfarë të dojë.- i tha ai avokatit me një zë të lartë por gjithë trishtim – sepse unë e kam dashur vëllanë tim bashkë me një respekt të madh për të. E kam respektuar vëllanë tim; sepse ai ishte një shpirt njeriu që nuk shtypte dot asnjë insekt e jo më të vriste dike.
Po përse e vrau vrasësi.
Për t’i marrë gruan.
Po pse, vrasësi pas vrasjes e mori për vete si bashkëshorte gruan e të vrarit?
Po.
Dhe çfarë ndodhi pas kësaj?
Asgjë; por ai tani është fshehur se ka frikë nga unë.
Po pse, a nuk ka frikë nga ligji ai që paska frikë vetëm nga ti?
Ka frikë nga unë, sepse sot në Shqipëri nuk ka dënim me vdekje.
Po nga unë, ti çfarë po kërkon?
Dua ta di se kjo vrasje për hakmarrje që mund të kryej unë: sa mund të dënohet? Vetëm për këtë kam ardhur unë tek ju.
Kjo do të ishte një vrasje për hakmarrje, e cila nuk mund të dënohet nën 20 vite burg, sepse në Shqipëri nuk ka dënim me vdekje.
Shumë mirë – i tha ai avokatit – vërtet që unë do të bëj 20 vite burg; por do të dal nga burgu 50 vjeç; dhe kjo më mjafton; sepse do jem i çliruar në shpirt nga gjakmarrja që po më rëndon çdo ditë e më shumë.
Po; vërtet që ti do të dalësh nga burgu 50 vjeç; por sa fëmijë keni ju?
Kam dy djem dhe një vajzë.
Por, a e dini ju që këtu në Shqipëri, sipas psikologjisë popullore të hakmarrjes, si akt kundër kësaj vrasjeje që ju do të kryeni, fillom një hakmarjeje kundër jush nga rrethi i ngushtë familjar i të vrarit të fundit?
Po, e di edhe këtë – i tha vrasësi i mundshëm avokatit që i kish ardhur në zyrë.
Dhe kjo gjë nuk ju bën përshtypje? E pyeti avokati.
Jo, zoti avokat; më e rëndë për mua është që unë të vijoj e të vuaj me shqetësimin tim të përgjithshëm vrasjen që më duhet të kryej për hakmarrje, sepse ndërkohë jam i bindur që, pa kryer këtë vrasje, jeta ime nuk do të ketë më kuptim.
Dhe cili është sipas jush kuptimi i jetës suaj?
Kuptimi i jetës për mua është liria ime individuale që unë e quaj liri interiore ose në shqip: liria ime e brendshme
Dhe çfarë kuptoni ju me liri të brendshme?
Unë me lirinë time të brendshme kuptoj që, për të vepruar ndaj kësaj që më ka ndodhur, këtë të drejtë e kam vetëm unë.
Dhe kjo vrasje do të lehtësojë ty, pavarësisht nga një vuajtjeje prej 20 vitësh në burg që ju mund të kaloni si dënim penal?
Sigurisht që po; dhe për këtë unë jam i sigurt.
Nuk di çarë të them – i tha avokati – sepse kjo është një çështje që ju përket vetëm juve dhe askujt tjetër, por ne këtë e quajmë vetëgjyqësi, e cila juridikisht quhet një krim i rëndë.
Dhe të nesërmen ndodhi vrasjs që u diskutua në zyrën e avokatit.
Po avokati, nuk ka qenë sipas ligjit i detyruar të denonconte personin që i foli hapur në zyrën e tij për hakmarrje?
Jo avokatin e mbron ligji për të ruajtur sekretin e atij që i kërkon ndihmë juridike, qoftë ky dhe një vrasës.
Por pas kësaj…
Për tri ditë rresht media në Tiranë vijoi vazhdimisht të analizonte këtë vrasje, por në shtyp dilnin shumë diskutime që kërkonin të vërtetonin përpara opinionit publik se vrasja ishte:
Një vrasje politike
Një vrasje për para.
Një veasje për xhelozi.
Një vrasje për hakmarrje.
Një vrasje për grabitjen e një shume prej 400 mijë eurosh.
Një vrasje nga një i sëmurë psikik.
Një vrasje për vjedhje; se në banesën e të vrarit janë përvetësuar treth një milionë euro.
Një vrasje për…
Një vrasje për…
Dhe kjo po vijon; kurse unë nuk kam më asnjë lloj interesi që të merrem me këtë çështje që sakaq ka kaluar në një psikozë kolektive. Sepse kjo vrasje; kështu siç po ecën në psikologjinë shoqërore, tani ka hyrë në rrugën e një romani mediokër ku, secili që e tregon, rrëfen dhe atsyen e tij për këtë krim.
Prandaj krimi ndërkohë ka humbur arsyen e një krimi, i cili duhet të gjykohet në një gjykatë kompetente; sepse ndërkaq kjo vrasje ka hyrë në Tiranë si një psikozë popullore.
Kurse vrasësi, pas tre muajsh mori pafajësinë në gjykatën kompetente; por në Tiranë kjo vrasje vijon të trajtohet nëpër rrëfimet popullore si një roman me disa volume, ku përditë vrasja merr një ngjyrim të ri. Dhe tani, për pafajësinë e vrasësit, nëpër biseda përmenden si ndërhyrës, me radhë, të gjithë emrat e qeverisë aktuale në Tiranë.
Dhe romani popullor po vijon…

Spartak Ngjeja
Tiranë më
07 shtator 2025

Latest articles

Related articles