“Një Parlament pa një Flutur” – Nga Ermal Peçi

spot_img
Advertisements

Largimi i Flutura Açkës nga Kuvendi i Shqipërisë është më shumë se një rotacion emrash apo një spostim politik. Është një humbje e heshtur, por e thellë, e atij zëri të rrallë që përfaqësonte dijen, erudicionin dhe lirinë e mendimit në një hapësirë që shpesh zhurmon, por rrallë herë mendon.

Flutura nuk ishte thjesht një deputete e radhës. Ajo ishte një zë që vinte nga bota e fjalës së shkruar, nga përkushtimi ndaj mendimit të lirë, nga thellësia e reflektimit, jo nga cinizmi i kalkulimeve politike. Ajo që e bënte ndryshe, ishte pikërisht fakti se ajo nuk ishte rritur në hije partish, por në dritën e bibliotekave, në mendimin kritik, në përvojën njerëzore që shtrihej përtej karriges parlamentare.

E kam pasur shpesh një mendim ndryshe me Açkën për çështje që kanë ndarë Partinë Demokratike, por kurrë nuk ia kam mohuar as integritetin, as guximin për të mbajtur qëndrime personale. Në një kohë kur shumica e deputetëve lexojnë rreshtin që u shkruajnë të tjerët, Flutura shkruante vetë, fliste vetë, dhe mendonte vetë. Dhe kjo është më shumë se virtyt: është domosdoshmëri në një demokraci të shëndetshme.

Personalisht nuk e kam njohur Znj Açka por e kam vlerësuar për qëndrimet e saj dhe e them me bindje se sot parlamenti pa të, është më i varfër. Jo sepse mungon një votë, por sepse mungon një shpirt i lirë. Një zë që s’e kthen politikën në cirk, që nuk flet me tërbim, por me përmbajtje.

Sot, në vend të një shkrimtareje që ka sjellë libra në botën shqipe, do të kemi ndoshta njerëz që nuk kanë shkruar kurrë as dy faqe të mendimeve të veta. Do të kemi njërëz me shumë fytyra. Do të kemi hajdutët dhe dallkaukët e rradhës të cilët do pozojnë gjithë pompozitet para kamerave të TV. Do kemi ndoshta më shumë zhurmë, por më pak mendim. Më shumë bindje verbale, por më pak guxim për të thënë “jo”.

Dikush mund të thotë se jemi në politikë, jo në një konkurs letërsie. Por pikërisht për këtë arsye, politika ka nevojë për zëra që e çojnë përpara debatin, që nuk shiten për një post, dhe që nuk e tradhtojnë ndërgjegjen për një duartrokitje të kryetarit të partisë.

Flutura iku në mënyrën më të natyrshme për një njeri të lirë: pa zhurmë, por me dinjitet. Dhe ndoshta në këtë heshtje të saj qëndron edhe më shumë forcë se në fjalimet e gjata e të zbrazëta që dëgjojmë çdo ditë në sallën e Kuvendit.

Flutra nuk ishte perfekte, askush nuk është në të vërtetë , por ajo ishte vetvetja dhe kaq mjafton. Në një politikë që klonon figura sipas imitimit të kryetarit, e kjo është vlerë e rrallë.

Shqipëria ka nevojë për më shumë Flutura në Parlament dhe më pak gjëmba e ferra. Ky boshllëk nuk do mbushet dot as me militantë, as me marioneta, as me servilë të shkathët që ndjekin erën, por s’kanë rrënjë askund.

Një Parlament pa një Flutur është një vend më i varfër për të gjithë ne sepse shoqëria jonë i detyrohet një shkrimtareje që, këtij vëndi i ka dhënë kultur dhe libra dhe nuk i ka vjedhur asgjë.

Latest articles

Related articles