Çështja McGonigal si gozhda e Nastradinit për Edi Ramën

spot_img
Advertisements


Nga Denis Dyrnjaja

Skandali McGonigal është rikthyer në vëmendje pas publikimit të raportit të fundit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Dhe nëse më herët Edi Rama e kishte quajtur këtë çështje një “tym pa zjarr”, tani duket se ai po mundohet ta nxjerrë “gozhdën e Nastradinit” nga muri i rëndë i implikimeve ndërkombëtare.

Gozhda në këtë rast është vetë Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së i cili, siç dokumentohet, përdori funksionin e tij për interesa personale dhe takime favorizuese me Kryeministrin e Shqipërisë. Afera McGonigal tani përbën një njollë ndërkombëtare për një lider që ka ndërtuar të gjithë imazhin e tij si kalorës i integrimit euroatlantik për Shqipërinë, por edhe një politikan modernist që nuk i duhen kulisat apo dallaveret r rëndomta për të ekzistuar në politikë. Në fakt duket se është krejt e kundërta, pa ekzistencën e tyre një politikan si Rama ka provuar ne vazhdimësi se nuk bën dot, qoftë dhe lojë e krijuar kot.

Përmes komunikimeve të publikuara dhe deklaratave zyrtare, është zbuluar dhe vërtetuar nga drejtësia amerikane, se McGonigal fliste për ndërhyrje, influencë dhe favorizime për llogari të palëve në Tiranë. Takimet e tij me Ramën, angazhimi për të diskredituar opozitën dhe përpjekja për të ndikuar në hetime, janë kthyer në pika të errëta që nuk ndriçohen apo pastrohen dot vetëm me batuta në konferenca shtypi.

Kryeministri i Shqipërisë edhe pse nuk është aktualisht subjekt hetimi në SHBA për shkak te statusit që ka, nuk mund të shmangë disa pyetje bazike: pse duhej të hynte në komunikim dhe bashkëpunim me një zyrtar amerikan të sigurisë, i cili më vonë u dënua për korrupsion dhe falsifikim? A ishin këto takime të rastësishme, apo pjesë e një strategjie të heshtur për të influencuar partnerët ndërkombëtarë? Në Amerikë nuk parashkruhen krimet, për më tepër krime të këtij profili. Dhe kjo për Ramën është një prishje gjumi, pasi nuk do të jetë përjetë kryeministër. Një ditë mbretërimi do mbarojë dhe atë ditë e gjithë historia mund të ndryshojë.

Raporti i Departamentit Amerikan të Drejtësisë është një kujtesë e ftohtë, se kjo çështje nuk ka vdekur edhe pse në Shqipëri marrëdhenia e dyshimtë Rama-McGonigal nuk është hetuar të paktën këtë dimë deri më sot. Kryeministri nuk është marrë asnjëherë në pyetje për këtë implikim të dyshimtë të tij nga SPAK-u dhe çështja mund të mbahet e stopuar përkohësisht, por nuk do të mbetet e pahetuar përjetësisht. Madje më shumë përgjegjësi ligjore mund të marrë mos hetimi i kësaj çështjeje nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare se vetë Edi Rama që është njeri nga protagonistët e saj.

Kjo do të thotë se afera McGonigal do të mbetet si gozhda e Nastradinit e ngulur në mur dhe do të kujtohet në një mënyrë a një tjetër si në media ashtu dhe në politikë, për ta mbajtur në vëmendjen e publikut edhe pse Rama bën sikur s’ka ndodhur asgjë dhe nuk ka asnjë problem me faktin se përmendet në mënyrë të dokumentuar 14 herë në këtë çështje tepër të korruptuar.

Ironikisht, ndërkohë që drejtësia amerikane po jep shembuj të fortë ndaj paprekshmërisë së ligjit, në Shqipëri çështja McGonigal është trajtuar më shumë si ndonjë lajm rozë. Mediat kryesore të zhytura në konflikt interesi me bonuset e qeverisë përmes lejeve të ndërtimit në mënyrë direkte apo përmes pseudoinvestitorëve, kanë preferuar të heshtin, duke e anashkaluar këtë skandal të përmasave botërore, ndërsa opozita nuk ka ditur ta kapitalizojë politikisht si duhet.

Edi Rama mund të shfaqet ende si njeriu që kontrollon lojën, por gozhda e Nastradinit (alias McGanigalit) mbetet aty. Edhe pse media dhe prokuroria sot, preferojnë ta anashkalojnë si rast, do dalë gjithnjë nje gazetar apo një prokuror që edhe ta rikujtojë edhe ta hetojë këtë aventurë politike në kufijtë e marrëzisë, që mund ta fantazonte, organizonte dhe realizonte vetëm një prototip politik si Edi Rama.

Latest articles

Related articles