nga Reldar Dedaj
Politika shqiptare ka ngjizur një mjeshtëri të ligë: ajo i shpik krizat, i rrit, i zbukuron me fjalë të mëdha, i bën të pazgjidhshme dhe më pas na bind se janë “fat i përbashkët”. Ajo është një fabrikë e pandalshme ankthi, ku çdo ditë prodhohet një krizë e re, ndërsa krizat e vjetra riciklohen si mall i përdorur. Dhe kur pushteti shet krizën si mall, populli paguan gjithmonë çmimin.
Zinxhiri është i njëjtë: ekonomia prodhon krizë ekonomike, arsimi krizë arsimore, kultura krizë kulturore. Vetë shteti është bërë një motor që punon vetëm për të nxjerrë krizë politike. Dhe këto kriza të përhershme kanë ngrënë themelin e vlerave njerëzore dhe morale, duke krijuar një shoqëri të lodhur, të pajtuar me absurditetin.
Po t’i hedhësh një sy 12 viteve të shkuara, tabloja është e njëjtë: shkatërrimi i Teatrit Kombëtar nën hijen e kullave; inceneratorët që u ndërtuan vetëm në letra, por gllabëruan qindra milionë; shëndetësinë që ia dhanë koncesioneve dhe rrugët duarve të klientelës; një drejtësi e re që nuk çliroi qytetarin, por u vu në shërbim të pushtetit; një valë emigracioni që boshatis vendin, ndërsa propaganda shpall fitore. Premtimet për energji më të lirë, ushqime më të përballueshme, qindra mijëra vende pune, mbetën si grafit i fshirë nga muri i kohës.
Sot jemi në kapitullin e quajtur “Rama 4”. Por ky nuk është fillim i ri. Është një përsëritje e lodhshme, një rrotullim tjetër i të njëjtës lojë. Sepse gjithçka që mund të ishte bërë, duhej të ishte bërë më parë. Nëse nuk u bë për 12 vjet, nuk ka asnjë arsye të besohet se do të bëhet tani.
Ndërkohë, një kor i pafund analistësh mbush ekranet, duke na shitur çdo ditë mashtrimin si analizë. Ata nuk sqarojnë, por mjegullojnë; nuk denoncojnë, por justifikojnë. Me servilizëm të mjerë, e kthejnë debatin publik në një treg llafesh, ku shitet ndërgjegjja dhe blihet propaganda.
Pamja bëhet edhe më e frikshme te brezi i ri i politikës, që duhej të ishte shpresa e vendit. Ata hyjnë në skenë jo me moral tjetër, por me urinë e vjetër për pushtet. Jo me dritën e Europës, por me hijen e korrupsionit. Të rinj në moshë, por të vjetër në zakone, ata janë ujqër që shohin Shqipërinë si pre të lehtë. Dhe kështu, cikli i krizave nuk ndalet, vetëm ripërtërihet.
Shqipëria është kthyer në ferr për idealistët dhe në parajsë për njerëzit me vanitete. Strofull e ngrohtë për veset, për korrupsionin, për krimin e organizuar që mbijeton në hije, i lidhur ngushtë me paranë dhe politikën. Të gjithë janë të amnistuar: ata që kanë shkatërruar, ata që kanë vjedhur, ata që kanë tradhtuar. Madje sot mburren pa turp, sikur të ishin arkitektë të së ardhmes. Në këtë rrëmujë, i miri dhe i keqi, ndërtuesi dhe shkatërruesi, janë vendosur në të njëjtën tavolinë, të barazuar me njëri-tjetrin.
Një vend i mbërthyer nga krizat është terren i përsosur për çdo lloj abuzimi: për trafiqe, për pastrim parash, për kaos urban, për kandidatë që rikthehen pa pikë turpi të kërkojnë votën mbi rrënojat që vetë prodhuan. Dhe qytetari, i lodhur, rri e sheh këtë tragjedi që përsëritet, pa mëshirë dhe pa ndryshim.
Në këtë panoramë, qeveria Rama 4 nuk është asgjë tjetër veçse konfirmimi i rrethit të mbyllur. Një kapitull i ri i një romani të vjetër, ku fundi dihet, por prapë duhet lexuar. Dhe lexuesi -qytetari shqiptar- është i lodhur, por ende i burgosur brenda faqes.
Ndonjëherë, duke parë këtë spektakël në ekranet televizive, lind dëshira ta flakësh televizorin nga ballkoni, për të mos parë më. Por pastaj shikon se askush tjetër nuk e ka bërë. Dhe kupton se ky është verdikti i vërtetë i 12 viteve të fundit: jo vetëm një qeverisje që nuk prodhon më asgjë, por edhe një shoqëri që ka humbur aftësinë për t’u tronditur.