Miliarderi italian Andrea Pignataro, i cili drejton kompaninë e teknologjisë dhe shërbimeve financiare ION Group, ka investuar dy miliardë euro në projektin Ellinikon. 1.5 miliardë euro do të përdoren për të zhvilluar qendrën e kërkimit dhe inovacionit, ndërsa 450 milionë eurot e mbetura do t’i shkojnë Lamda Development.
Qëllimi i ION është të krijojë një kompleks biznesi dhe banimi ku drejtuesit dhe punonjësit e saj do të punojnë dhe jetojnë. Marrëveshja me Lamda parashikon blerjen e dy zonave në Ellinikon, të cilat do të lejojnë ndërtimin e një sipëfaqeje totale 250 000 metra katrorë, nga të cilat deri në 200 000 metra katrorë do të jenë njësi banimi për të strehuar punonjësit e grupit shumëkombësh, dhe pjesa tjetër do të përdoret për hapësira zyrash dhe një amfiteatër me 1 000 vende, ku do të mbahen evente ndërkombëtare.
Kjo marrëveshje, të cilës i referohet Kathimerini, që përfshin blerjen e tokës në Ellinikon dhe zhvillimin e një qendre inovacioni, vjen pas marrëveshjeve të ngjashme që Lamda Development ka arritur me investitorë të rëndësishëm gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë Brook Lane Capital, Ten Brinke, Hellenic Ergon, Daedalus Development dhe pronarin grek të anijeve, George Prokopiou.
Pignataro, 55 vjeç, themeloi ION si një kompani të pavarur në vitin 1999 dhe e bëri atë një nga kompanitë kryesore të softuerëve në sektorin financiar, veçanërisht në fushën e tregtimit të softuerëve. Gjatë këtij procesi, ai u bë, sipas Forbes, italiani i dytë më i pasur me një pasuri personale prej 36.4 miliardë dollarësh.
Në vitin 2022, miliarderi italian shprehu interes për të blerë 27% të aksioneve në Piraeus Bank, por kjo nuk u materializua.
I vendosur në të ashtuquajturën Riviera Athinase, projekti Ellinikon prej 8 miliardë eurosh, sipërmarrja më e madhe e rigjenerimit urban në Evropë, ofron apartamente luksoze, rezidenca dykatëshe, vila buzë detit dhe apartamente në katin e parë, me lehtësira duke përfshirë kopshte të peizazhuara, qendra Ëellness dhe sportive, zona shitjeje me pakicë dhe restorante, vende kulturore, një marinë dhe qasje të drejtpërdrejtë në plazh.
Ellinikon është cilësuar si një nga projektet më të mëdha të rigjenerimit urban në Evropë. Plani master prej 8 miliardë eurosh u iniciua nga LAMDA Development dhe do të rivitalizojë hapësirën ku më parë shtrihej Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës, i cili funksionoi nga viti 1938 deri në vitin 2001.
Projekti parashikon hapësira banimi, dyqane, vende pune, kohë të lirë, argëtim dhe aktivitete kulturore, të gjitha të përqendruara rreth një parku të gjerë prej dy milionë metrash katrorë. Plani bashkon studiot ndërkombëtare të arkitekturës, si Foster and Partners, Kengo Kuma and Associates, Bjarke Ingels Group (BIG), Aedas, SAOTA, Oppenheim Architecture dhe Sasaki, së bashku me firma greke si 314 Architecture Studio dhe Bobotis+Bobotis Architects.