Edison Ypi: Filmi shqiptar një kazan plehrash, supë me qen e mace, brisk i ndryshkur

spot_img
Advertisements

Filmi shqiptar

Vendi ku e vetmja qoshe gatimi ishte haleja, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit, e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte dora, e vetmja dëshirë ishte të ikje ku të mundje, prodhoi vetëm 1 gjë. Atë më të turpshmen, më brutalen, më të padenjën; makabritetin estetik më kriminal që ka parë bota, llumin propagandistik të quajtur film shqiptar.
Filmi shqiptar ishte është një kazan plehrash plot me qen e mace të ngordhura, brisqe të ndryshkur, çizme llastiku të grisura, stomaqe bosh, sy të çakërrdisur, veshë të zënë, tru të tharë, gjëndra kanceroze, lëkura me ekzema, kocka të deformuara, kufoma të kalbura.
Filmi shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të lopëve për thithjen e trurit.
Filmi shqiptar ishte një kasaphanë ku shqiptarët kënaqeshin duke lëpirë gjakun e njëritjetrit si macet dhe qëntë në oborrin e thertores.
Filmi shqiptar ishte një trekëmbësh për varje në litar:
Një sqepar i përgjakur i quajtur “regjizor i madh”.
Një brisk rroje i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”.
Një trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar”.
Filmi shqiptar është ajo dukuri katastrofike mender edukative që i ndan shqiptarët; Në njerëz që dinë ose nuk dinë ta bëjnë dallimin mes propagandës dhe Artit.
Filmi shqiptar ishte një supë e helmatisur propagandistike të cilën shqiptarët pasi e hëngrën, pritën sa u erdhi rasti, rrëmbyen një anije, ikën e vollën në fund të botës.
Filmi shqiptar është një kokteil i djersës së kurrizit me shurrën e mëngjezit, që po ta pish, ke futur dreqin në bark, ikën vrap ja fal pes-lekëshin e fundit që të ka mbetur në xhep një jevge mashtruese me premtimin se do t’i kthejë shumfish.
Filimi shqiptar është një elisir të cilin pasi e pi çorroditesh aq tepër sa shkon shqyen derën e një depoje armësh ku armatosesh deri në dhëmbë pa e ditur se çfarë lufte do bësh e me kë do luftosh.
Filmi shqiptar është një kakofoni me tekst idiot që ka lënë në mendjet e shqiptarëve batutat më të shpëlara dhe më të neveritshme. Mos provo të kuptosh pse ndodhi ky tmerr se sëmuresh me një diagnozë që s’ka çmendinë që ta shëron.
Filmi shqiptar është dhe do mbetet e vetmja këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga aktorë “kollosa” dhe regjizorë “korifej”.
Filmi shqiptar është një arkivol, një qivur, një arkëmort, që e paraqesin si djep.
Filmi shqiptar është instruktori më i mirë për të mësuar si ta kalosh jetën në kafene.
Filmi shqiptar këshilltari më i vyer për të bindur të mos zësh kurrë libër me dorë.
Filmi shqiptar është faktori elektoral më i rëndësishëm, mjeti më efikas për ta mbajtur të bashkuar kopenë e budallenjve trushpëlarë.
Po thonë se filmi inekzistent shqiptar është aq i keq, sa e pëlqen populli vëlla Kinez.
Dy lloj shqiptarësh janë apologjetët e fantazmës së përgjakur të quajtur film shqiptar.
Të parët janë ata që me Artin, stilin, frymëzimin, talentin, energjinë kreative, nuk i lidh asgjë, dhe s’kanë asnjë haber kush janë e çfarë kanë bërë, fjala vjen, Pedro Almodovar, Woody Allen, Roman Polanski, Luis Bunuel. Ngaqë s’mund të fajsohet askush për atë që s’ndjen, këta s’mbajnë asnjë përgjegjësi.
Të dytët janë autorët, aktorët, regjizorët, që ndoshta e dinë kush është Orson Welles, Stanley Kubrick, Akira Kurosawa, por nuk duan tu ikin për dhjamë qeni dhjetra vitet krrusur mbi govatën e lëvereve propagandistike “Shqipëria e Re” brenda së cilës provojnë të lajnë petkat e përgjakura të shqiptarëve përmes monstruoziteteve propagandistike huazuar nga stepat dhe gulagët.
Zoti i ruajt nga skëterra e këtejme dhe e përtejme, edhe të parët, edhe të dytët.
Filmi shqiptar me “diva” të vrërët që mbajnë kapele, vënë syze, lënë mustaqe, hedhin shall, mbajnë kokën mënjanë paksa të rrëzuar për tu tu dukur Hamletë mendimtarë, nuk është asgjë tjetër përpos një vampir propagandistik që mund të shihet pa pasoja psiqike vetëm në rradhën zero, karrikja infinit.

Latest articles

Related articles