Që një ambasadore ti tregojë shqiptarëve se çfarë duhet të bëjnë është e hershme, qysh nga ambasadori Romak mbretëreshës Teuta tek ambasadorët jugosllavët, Sovjetik e Kinezë, dhe 3 dekadat e fundit amerikanë e europianë. Nuk e kishim mangut edhe ambasadoren e Izraelit, e cila me një arrogancë jo vetëm në shprehje por edhe me një mungesë respekti për shqiptarët e Shqipërinë na tregon se për kë duhet të ngremë zërin dhe protestojnë.
Më poshtë një koment që na përfaqëson.
nga Gjergj Erebara
Unë, protestuesi kundër gjenocidit
Lexova një shkrim të rëndomtë me një logjikë të rëndomtë nga ambasadorja e Izraelit në Tiranë, e cila nuk do të meritonte përgjigje por, rëndomtësia logjike është gjithashtu iluminiese për të kuptuar se çfarë po shtyn një pjesë të popullit të Izraelit të kryejë krimin e gjenocidit.
E para, ndarja e njerëzimit në ne dhe ata, konsiderimi gënjeshtar i protestuesve në bllok, është retorika e rëndomtë që u përdor, mes të tjerëve, nga nazistët për të justifikuar Hokaustin dhe për ta mohuar atë gjithashtu. Identifikimi i protestueve si një grup i vetëm, pa marrë parasysh kompleksitetin natyror të të gjitha shoqërive, përfshirë edhe izraelitët e panumërt që po protestojnë në Izrael kundër luftës dhe kundër gjenocidit, është vijimësi e logjikës së mohimit të tjetrit, asaj logjike që mbështeti Holokaustin.
E dyta, e ndoshta më e rëndësishmja, vendosja e shenjës së barazimit mes protestuesve propalestinezë dhe antisemitëve është një gënjeshtër e madhe. Të thuash që protestuesit propalestinezë kërkojnë të shkatërrojnë shtetin e Izraelit, kjo është gënjeshtër. Unë vetë, dhe shumë qytetarë anekënd botës, përfshirë shumë hebrenj, mbështesim zgjidhjen me dy shtete. Sepse nuk është e mundur të zgjedhësh vetëm njërin pa mohuar tjetrin. Nuk mundet të mbështesësh shtetin e Izraelit dhe të mohosh shtetin e Palestinës dhe as të mbështesësh Palestinën dhe të mohosh Izraelin. Sepse mohimi i tjetrit do të thotë gjenocid. Po qeveria që ambasadorja përfaqëson është ajo që refuzon shtetin e Palestinës dhe është akuzuar nga shumë, përfshirë aktivistë izraelitë, se po bën gjenocid. Është qeveria që mban palestinezët në burg të madh dhe në mënyre sistematike ndërton vendbanime në Bregun Perëndimor.
E treta, ambasadorja ka shumë të drejtë kur thotë që në këtë botë të mbushur me krime, duhet të protestojmë ndaj krimeve, qofshin viktimat ujgurë në Kinë, druzë në Siri apo darfurë në Sudan. Ne nuk duhet të protestojmë se janë myslimanë, por sepse janë njerëz. Për këto ftoj vetë ambasadoren që të thërrasë protestë.