nga Dashnor Kokonozi
Ishte nga të parët parlamentarë që la mjekër. E kishte të bajagishme, masive.
Si të një popi.
Deputetët e krahut tjetër e shihnin me inat! Shfaqjet e huaja kishin zbritur në parlament!
Sekretarët politikë dhe kryetarët e kooperativave ndjenin vështirësi të kuptonin kohën që kishte ardhur.
Kështu e shpjegoj atë që më tregoi Teodori një ditë, tek doli nga parlamenti.
- Xhelil Gjoni është fort i pakënaqur nga mjekra ime, – më tha. – Më doli para dhe më pyeti kur do ta heq.
- Ty pyeti, ty, deputet i opozitës?
- Edhe unë nuk u besoja veshëve të mi, por e kishte me tamam.
- Është njësoj sikur Shefqet Vërlaci p.sh., të pyeste Fan Nolin kur do rruante mjekrën.
- Nuk do ta heq pa ju rrezuar juve nga pushteti, – i thashë, vazhdoi Dori.
Xhelili u nxeh shumë por u kujtua se nuk kishte çfarë të më bënte dhe iku. Pastaj u kthye dhe më tha: - Po prite të biem ne, do të shkojë mjekra deri në fund të këmbëve! – bërtiti nga larg.
Kur ia kujtova këtë histori disa vjet më vonë, Teodori qeshi me trishtim.