Analisti Indrit Vokshi nuk pret ndonjë zhvillim të fortë politik me nisjen e legjislaturës së re parlamentare. Në studion e MCN Informacion, ai tha se brenda PD nuk do të ndodhë asgjë e re, pasi sipas tij në partinë më të madhe të opozitës nuk lëviz asnjë rrymë.
Shoh një sezon politik të varfër. As Berisha dhe as Rama nuk do të bëjnë diçka që nuk e kanë bërë më përpara. Ka pasur një fitore të dhunshme me 83 mandate. Berisha nuk do të bëjë asgjë. Ato flukse që flitet se janë në PD nuk ekzistojnë. Mund të ndryshojnë emrat në komisione parlamentare. Ndryshojnë vetëm vendet dhe postet. Ata që kanë tepruar nga partia e Bashës do t’i marrë tani aparati i Berishës dhe t’i sistemojë.
Ramës i duhen teknicienë, njerëz pa identitet të fortë politik. Në kushtet kur nuk ka sfidë dhe numra, Rama e ka luksin të emërojë ministra anonimë. Duke qenë se opozita nuk e ka kapacitetin për ta deligjitimuar qeverinë para publikut, nuk e vë dot në vështirësi. Më thoni një rast kur ka ndodhur. Vetëm në rastin e protestës së studentëve dhe protestës kundër armëve kimike. Betejën Rama e ka fituar me opozitën, por e ka të humbur me shqiptarët