Një platformë e rreme investimi e quajtur “TXEX” po godet qytetarët shqiptarë duke zhdukur miliona dollarë përmes një skeme piramidale të sofistikuar që operon pa licencë dhe jashtë çdo kuadri ligjor në Shqipëri.
Deri më tani, sipas denoncimeve të shumta në redaksinë tonë, më shumë se 6000 shqiptarë janë prekur nga kjo skemë, me humbje që kalojnë 5 milionë dollarë në total.
TXEX paraqitet si një aplikacion që ofron investime të “sigurta” në kriptovaluta, por në fakt është një mashtrim i mirëorganizuar që shfrytëzon rrjetet sociale dhe platformat si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të joshur viktimat.
Skema fillon me reklama joshëse në Instagram dhe TikTok, ku individë anonimë, që prezantohen si “ekspertë tregu” apo “mentorë financiarë”, krijojnë grupe të simuluara investimi.
Në këto grupe, përdoruesit shohin komente të rreme dhe fitime të fabrikuara, ndërsa ftohen të investojnë fillimisht shuma të vogla në kripto përmes platformave reale si Binance. Më pas, fondet transferohen në TXEX, ku fillon mashtrimi i vërtetë.
Brenda aplikacionit, “fitimet” duket sikur rriten çdo ditë, por në momentin që viktima kërkon tërheqjen e tyre, i kërkohet të paguajë një tarifë shtesë prej 400 dollarësh, kinse për verifikim apo shpenzime të tjera.
Në të vërtetë, kjo është një mënyrë për të nxjerrë edhe më shumë para para se skema të zhduket dhe kontaktet të ndërpriten.
Viktimat raportojnë se, përveç humbjeve financiare, janë detyruar të dërgojnë edhe dokumente personale, përfshirë ID dhe foto, duke ngritur shqetësime të mëdha për privatësinë dhe keqpërdorimin e të dhënave.
Denoncimet vijnë nga shumë qytetarë, disa prej të cilëve raportojnë humbje që shkojnë deri në 5000 euro.