Qarqet mediatike pranë qeverisë po tentojnë të përcjellin idenë se mandati i katërt i Edi Ramës nuk është për socialistët, por për Europën. Sipas kësaj teze, qeverisja duhet të bëhet me teknokratë dhe figura të pavarura, përfshirë edhe elemente nga opozita, duke krijuar iluzionin e një hapjeje politike. Në realitet, kjo është vetëm një mbulesë për konsolidimin e pushtetit personal.
Që nga 2013-a, Rama ka çmontuar hierarkinë e Partisë Socialiste, duke larguar, denigruar ose izoluar emra të njohur, nga gardistët e vjetër si Fatos Nano, Pandeli Majko e Ilir Meta, tek ministrat e shquar të mandatit të parë dhe të dytë.
Ideja e kësaj teze që duket qartë e hartuar në “kuzhinën e madhe” të propagandës së Edi Ramës, është që tashmë në herën e katërt, qeverisja duhet të bëhet jo me detashmentin politik të Partisë Socialiste, por me të “pavarur”, “teknokratë” apo edhe nga peshkimet që mund të bëhen nga “ambiciozët” e opozitës.
Gjasat janë që po synohet të krijohet në opinion, ideja e një hapjeje, e një tentative për pajtim politik nga Edi Rama, i cili e ka marrë mandatin e tij qeverisës, si kryetar i Partisë Socialiste, përkatësisht nga 90% i elektoratit të përhershëm të së majtës në vend.
Sado që po mundohen të injektojnë nga lart një lëndë PR që të përgatitet opinioni, faktet dhe ngjarjet që kanë ndodhur prej 2013-s, tregojnë se viktimat më të mëdha të qeverisjes së Edi Ramës kanë qenë vetë socialistët. Me të cilët, kryetari i tyre luan përmes një sadizmi të pashoq, me frikën e rikthimit të Sali Berishës.