Për çdo aferë koncesioni, kryeministri Edi Rama ka dalë gjithmonë në mbrojtje të ministrave të tij, duke ushtruar presion ndaj mediave dhe drejtësisë, siç ndodhi me Lefter Kokën, Ilir Beqjen dhe Olta Xhaçkën. Kur ata përfunduan të pandehur e të arrestuar, Rama deklaroi se qeveria dhe PS-ja nuk janë avokat mbrojtës për ata që “hanë dardha pas shpine”. Por realiteti tregon të kundërtën: çdo koncesion ka firmën, nismën dhe udhëzimin e tij.
Pasi justifikimi i “dardhave” nuk e mbuloi më situatën dhe sirtarët e SPAK u mbushën me dosje për ministra e sekretarë të përgjithshëm, kryeministri ka gjetur një “zgjidhje ligjore”. Ai ka hartuar një projekt-ligj që transferon formalish kompetencën e firmosjes së akteve, urdhërave dhe vendimeve financiare nga ministrat te drejtorët qendrorë të ministrive, duke i bërë ata “bedelë e kurbanë” ligjor për çdo skandal.
Projekti është prezantuar si iniciativë e Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-korrupsionin, Adea Pirdeni, pjesë e reformës “sipas standardeve të BE-së”. Në fakt, në kapitujt e negociatave me BE-në nuk flitet për delegim kompetencash firmosjeje, por vetëm për luftën kundër korrupsionit, që fillon nga kryeministri dhe ministrat e tij.
Pra, ligji nuk pastron administratën nga korrupsioni, por mbron ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm, duke i shpëtuar ata nga përgjegjësia penale, ndërsa drejtorët detyrohen të firmosin aktet që janë të ministrave. Kjo rregullore ligjore do të bëjë që SPAK, për çdo aferë që zbulohet, të ngjitet tek drejtorët, ndërkohë që ministrat, udhëheqësit e vërtetë të pazareve, mbeten jashtë përgjegjësisë.
Që nga vitet e fundit, ministrat shpesh kanë shpërndarë kompetenca me “delegim” te vartësit, por ligji i ri e formalizon këtë spostim përgjegjësie. Drejtorët e ministrive e kanë kuptuar skemën e Bablokut: ata do të jenë kurbanë ligjorë për veprimet e ministrave, duke u rrezikuar të përballen me SPAK-un. Disa madje po shqyrtojnë dorëheqjet për t’u shmangur nga kjo përgjegjësi e caktuar me ligj.