Disa ditë më parë zona e Gramshit u përball me zjarre ekstreme, të cilat shkatërruan fshatra, shtëpi, kullota e bagëti. Nga ato ditë “ferri”, mbahet mend dhe Alfred Zhupani, i cili për gramshiotët është një hero.
Zhupani me profesion është specialist për hetimin e Krimeve në Komisariatin e Gramshit, dhe u bë i njohur për publikun pas publikimit të fotos teksa në krah mbante një të moshuar, të cilën e kishte shpëtuar nga flakët dhe po vraponte që ta dërgonte në një zonë të sigurt.
Për Top Channel, Alfred Zhupani është shprehur se emërimi hero për të është një fjalë e madhe, por nëse ka një të tillë, janë të gjithë kolegët e tij, punonjësit e zjarrfikëses dhe të ushtrisë, të cilët pa ndalim punuan për të shpëtuar shtëpi e jetë njerëzish në ditët më të vështira të Gramshit.
“Hero është një fjalë shumë e madhe dhe nuk mendoj që më përshtatet, por gjithsesi Faleminderit shumë. Në ato tre ditë tmerri që përjetuam dua të falënderoj kolegët e mi të cilët me punën e tyre arritën të shpëtojnë jetë njerëzish, gjithashtu shërbimet zjarrfikëse, punonjësit e ushtrisë, pushtetin lokal të cilët ju gjendën pranë banorëve në ato ditë të vështira. Në rast se ka heronj, heronj janë të gjithë ata.
“Detyrën do ta kisha bërë njësoj në çdo cep të Shqipërisë. Ju e dini si janë fshatrat, çdo njeri është familja jote. Atë ditë digjej shtëpia ime dhe më dhimbte në çdo qelizë të saj.”