Pse hapja dhe ndarja e pushtetit për “Shqipëria 2030” duhet të jetë synim i vërtetë edhe në Vlorë?

spot_img
Advertisements

nga Gjergj Nika

Kryeministri Rama i fitoi zgjedhjet e 11 majit me një shprehje, “Synojmë mandatin e katërt për “Shqipëria 2030”.

Madje ai i ftoi demokratët opozitarët që të votojnë për Shqipërinë europiane më 11 maj dhe jo për kënetën, që të mendonin për të mirat ekonomike dhe të fëmijëve, sesa për tifozllikun partiak.

Edhe në fjalimin në takimin festiv me 83 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, por edhe me të gjithë kandidatët për deputetë të PS, Kryeministri Edi Rama ka analizuar fitoren, duke paralajmëruar një… “Shqipëri më të mirë dhe jo një Shqipëri të përgojuar, si vend gjithnjë e më i keq i tërë të zezave, me sy të nxirrë nga grushtat e urrejtjes politike dhe trupin e tërhequr zvarrë nga gjuhët e palodhura të asaj urrejtjeje.”

Dhe më pas Rama u risolli në mendje strategjinë e afrimit të “kundërshtarëve” në kulmin e fushatës, kur partia mund t’i kthehej kundër dhe fitoi.

Çfarë e pengon tani në emër të integrimit në BE dhe prezantimit me një fytyrë të re, të afrojë opozitarë të moderuar?

Apo në qeveri të fusë edhe teknokratë, qoftë edhe nga parti të tjera apo të paangazhuar?

Çfarë e pengon që në pushtetin lokal me meritokraci, përgjegjshmëri e transparencë të afrojë njerëz të moderuar politikisht, të aftë profesionalisht e, mbi të gjitha, qytetarë me vlera?

Dhe kjo gjë nuk duhet të jetë e shndërrohet realisht nga një slogan ambicioz i pushtetit aktual, në një projekt modern, integrues të depolitizimit të administratës, gjithëpërfshirës, me zhvillim të qëndrueshëm dhe që hap realisht pushtetin ndaj qytetarëve.

Po në qytetin e Vlorës, një nga bastionet historike të partisë në pushtet, ky vizion është më shumë një vegël propagandistike apo një projekt i sinqertë zhvillimi?

Në emër të “Shqipërisë 2030” do të ishte normale të kishte hapje reale në burime njerëzore, profesionistë të angazhuar ose jo me PS, qytetarë të përgjegjshëm me ide e vizion.

Në emër të “Shqipërisë 2030”, pushteti qendror dhe lokal kanë promovuar projekte të mëdha infrastrukturore, investime në turizëm dhe rikonceptim urban.

Por retorika e hapjes dhe ndarjes së pushtetit tingëllon bosh nëse emërimet janë të centralizuara, vendimmarrja është e mbyllur dhe qytetari i zakonshëm mbetet jashtë çdo procesi real politik.

Synimi për “të ndarë” pushtetin, pra për ta hapur e decentralizuar atë është një kërkesë demokratike, që e kërkon koha dhe që duhet të zbatohet me përfshirje të komunitetit dhe transparencë.

“Shqipëria 2030” duhet të jetë në realitet një projekt gjithëpërfshirës dhe jo një agjendë që përjashton ata që nuk janë pjesë e rrethit të ngushtë të pushtetit. Vlonjatët nuk duhet të ndihen të përjashtuar nga debati mbi të ardhmen e qytetit të tyre dhe meritojnë llogaridhënie e transparencë.

Në mënyrë që intelektualët e aftë e profesionistë të jenë pjesë e projektit të Shqipërisë në BE dhe strukturat drejtuese të qytetit të mos jenë në kolaps.

Ky është çmimi i një zhvillimi të bazuar në interes publik. Është çmimi i një qeverisjeje që thërret për hapje… Dhe punon për një Shqipëri Evropiane, të barabartë, me vlera, meritokraci, transparencë e paanshmëri!

Në fund të ditës fitojnë të gjithë: Qytetarët, intelektualët, njerëzit me vizion, e ardhmja, toleranca dhe demokracia.

Latest articles

Related articles