Takimi Trump – Putin në Alaskë .Fundi i një loje 100-vjeçare ?!

spot_img
Advertisements

nga Ermal Bajrami

Në pamje të parë, ky takim duket si një tjetër episod i paparashikueshëm i politikës botërore: Trump dhe Putin ulur përballë njëri-tjetrit, këtë herë në Alaska, më 15 gusht 2025. Por zgjedhja e vendit nuk është aspak rastësore. Alaska nuk është thjesht një shtet i largët amerikan ,ajo është një copë tokë që dikur ishte ruse. Në vitin 1867, SHBA e bleu për vetëm 7.2 milionë dollarë, në atë që amerikanët e quajnë “Blerja e Alaska-s” dhe shumë rusë e shohin ende si një humbje historike.

Tani, më shumë se një shekull e gjysmë më vonë, dy liderët takohen pikërisht aty. Është një mesazh i koduar ,historia mund të mos kthehet, por ekuilibrat mund të ribëhen. Dhe vendi i takimit tregon se loja e re po nis në terren simbolikisht neutral… por me kujtesë të gjatë.

Çfarë fshihet pas këtij takimi?
Akulli po tërhiqet. Rrugë të reja detare po hapen, duke shkurtuar transportin mes Azisë, Amerikës dhe Europës me javë të tëra. Rezervat e naftës, gazit dhe mineraleve të rralla që gjenden atje janë të jashtëzakonshme. Kush i kontrollon, fiton një avantazh strategjik dhe ekonomik për dekada. Dhe ja ku qëndron thelbi !
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zotërojnë pjesën më të madhe të vijës bregdetare të Arktikut. Nëse bashkëpunojnë, ata mund të diktojnë rregullat e lojës.

Pse Europa është në panik?
Për ta kuptuar, duhet të kthehemi tek doktrina e Sir Halford Mackinder, një gjeograf britanik i fillimshekullit XX. Sipas tij, ai që kontrollon “Heartland”-in ,bërthamën euroaziatike kontrollon botën. Për më shumë se një shekull, strategjia britanike ka qenë e qartë ,të mos lejojë kurrë bashkimin e fuqive të mëdha euroaziatike me fuqinë detare të Amerikës. Nëse Rusia dhe SHBA gjejnë gjuhën e përbashkët, Europa humbet rolin e saj si ndërmjetëse dhe mbrojtëse e rendit të vjetër.

Tre goditje për Brukselin dhe Londrën:

  1. Pushteti , SHBA dhe Rusia vendosin rregullat e Arktikut, duke e lënë BE-në jashtë loje.
  2. Energjia , Rrjetet e reja të gazsjellësve dhe naftësjellësve mund të anashkalojnë totalisht infrastrukturën europiane.
  3. Politika , Një pakt i tillë shkatërron strategjinë e sanksioneve dhe dobëson ndikimin e BE-së në Perëndim.

Simbolika e Alaska-s
Ky takim është si një mesazh i dyfishtë .
Për Putinin, është rikthim në një tokë që ka qenë e Rusisë.
Për Trump-in, është tregim force se Amerika mund të negociojë në vend që i kujton humbjen e kundërshtarit, por në kushte barazie. Është një skenë ku të dy mund të thonë: “Shikoni, ne mund të bëjmë marrëveshje pa Europën.”

Historia që përsëritet
Në shekullin XX, marrëveshjet e mëdha mes fuqive të mëdha kanë ndodhur gjithmonë jashtë syve të publikut dhe shpesh në vende me simbolikë të fortë:
1.Konferenca e Jaltës (1945) që rishpërndau botën pas Luftës së Dytë Botërore;
2.Takimi Nixon–Mao (1972) që hapi dyert mes SHBA-së dhe Kinës;

  1. Helsinki (1975) që vulosi një rend të ri në Europë.
    Alaska mund të jetë “Jalta e Arktikut” vendi ku dy fuqi vendosin rregullat për një epokë të re, ndërsa bota tjetër e kupton vetëm pasi loja ka nisur.

Nëse ky pakt mbyllet, ai nuk do të shihet si një marrëveshje e thjeshtë ekonomike, por si fundi i një cikli të gjatë ku Perandoria Britanike dhe pasuesja e saj, BE-ja, kanë mbajtur nën kontroll lidhjen mes SHBA-së dhe Rusisë. Ky cikël mund të mbyllet aty ku filloi në një tokë që dikur ishte ruse, por që sot shërben si tryezë e përbashkët për një aleancë të re.

Latest articles

Related articles