Të mërkurën në disa qytete në Serbi janë organizuar protesta madhore kundër regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën moton “Serbia, zgjohu”.
Gjatë protestës, një incident, është shënuar në qytetin e Novi Sadit, sipas mediave serbe. Pamjet e publikuara tregojnë se protestuesit janë sulmuar me mjete piroteknike.
Protesta në fjalë zhvillohej përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila udhëheq me vendin.
Mediat në Serbi raportuan se mbështetësit e SNS-së filluan të qëllonin me piroteknikë, fishekzjarrë, si dhe të hidhnin shishe e gurë drejt demonstruesve.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se “një oficer policie nga Departamenti i Policisë së Novi Sadit u plagos në një sulm nga protestuesit në ambientet e Partisë Progresive Serbe”.
Disa dhjetëra qytetarë u mblodhën për një protestë edhe në Çaçak, por kordonet e policisë nuk i lejuan të njëjtit të afrohen në ambientet e Partisë Progresive Serbe.
Ndërkaq disa dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të SNS-së me flamuj serb u mblodhën përpara selisë së partisë në këtë qytet.
Arsyeja e protestave ishin trazirat që ndodhën më 12 gusht në qytetet Vrbas dhe Backa Palanka të Vojvodinës, gjatë të cilave shpërthyen përleshje midis kundërshtarëve dhe mbështetësve të qeverisë