“Miliona euro të siguruara nga trafiku i kokainës”, kështu thuhet në fashikujt e dosjes së SPAK për organizatën kriminale të “çmontuar” disa ditë më parë nga Struktura e Posaçme në krye të së cilës qëndronin Franc Çopja dhe Ervis Çela.
Së fundmi të tjera detaje kanë dalë nga dosja prej 282 faqe ku dy kokat e këtij grupi kriminal bisedonin me njëri-tjetrin për mënyrën se si do të fshihnin paratë në Shqipëri.
Çela linte “garant” rrënjët e ullinjve në Shqipëri, ndërsa Çopja për të mos rrezikuar e këshillonte aleatin e tij që t’i investonin në lingota ari pasi nën tokë paratë do të shkatërroheshin.
“Ervis Çela i shkruan se disponon 200 rrënjë ullinj dhe për secilin ulli do të bëjë një gropë për fshehjen e parave. Franc Gergely këshillon Ervis Çelës që paratë cash të akumuluara t’i investojë në lingota ari dhe të mos i groposë sepse rrezikojnë të dëmtohen”, thuhet në dosjen e SPAK.
Ndërkohë që më datën 13 dhjetor 2020, në orën 21:07, Ervic Çela komunikon me vëllain e tij, Ardjan Çelën i cili qëndronte në Paraguai.
Siç bëmë me dije dhe më herët, ky grup kriminal u arrit të zbërthehej falë bisdave në aplikacionin “Sky”. Çela dhe Çopja vinin në dijeni njëri-tjetrin për çdo detaj, ndërkohë që kokaina nisej nga Paraguai, përmes portit të Villetas dhe të gjitha përgatitjet për nisjen ia tregonin njëri-tjetrit përmes fotove.
Ervis Çela njoftonte gjithë kohës Çopjan duke i dërguar imazhet edhe të kamionëve me kontejner me kokainë që po shkojnë dhe futen në port. Kokaina fshihej në një hapësirë në mesin e dy gipseve, e presuar dhe e paketuar mirë me vakum, më logo të ndryshme, mes tyre edhe “NY”.
Në Paraguai, Çela jetonte me të vëllain, Ardjanin dhe në një bisedë të publikuar një ditë më parë nga Neësbomb, dy vëllezërit bisedonin lidhur me dërgimin e një shumë të konisderueshme parash që do të dorëzohej në Shqipëri.
Pjesë nga biseda e Ervis Çelës me Franc Çopja:
Ervis Çela: Kam 200 ullinj në mal duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.
Franc Çopja: Aahaha…kthej flori. Mos fut lek n tokë. Më dëgjo mu…
Ervis Çela: S’ka flori…Duhet me grabit naj bank..Duhet me porosit nga Afrika…
Franc Çopja: E di që ska..Do flas un ktu me njanin mos na i sajo ky…Po mblidhi avash avash…Por mos fut lek n tok… Se t prishen..
Ervis Çela: E di që prishen lekët.
Në datë 13 Dhjetor 2020, në orën 21:07, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Ardjan Çela me të cilin dyshohet se bisedojnë në lidhje me fshehjen e parave cash dhe sasinë e parave të akumuluara prej tyre.
Ervis Çela: Marove tu bo gropa?
Ardjan Çela: Tani po mbaroj duke i përgatit..filloj dhe shiu tani…
Ervis Çela: Do ja kalosh lales?
Ardjan Çela: Po të mbaroj fuçin dhe të shkoj ti mbyll…Ahahaha…
Ervis Çela: Ahahaha…i bone 10?
Ardjan Çela: Lala ka më shumë…Po
Ervis Çela: Të nis dhe 4/5M ktë javë që vjen…Ahahaha…
Ardjan Çela: Flasim më vonë…