Shteti nuk bëhet me dinamit – bëhet me drejtësi, dije dhe dinjitet.

spot_img
Advertisements

nga Prof. Taulanda Jupi

Kush kujton se “bën shtet” duke shembur një ndërtesë me dinamit me kamera të ndezura, nuk po ndërton shtet — po ndërton frikë.

Spektakli i këtij mëngjesi nga facebook-u i kryeministrit i shoqëruar me video propagandistike dhe fjalë të mëdha për “betejën ndaj paligjshmërisë”, është një shembull i qartë i mënyrës si pushteti e ngatërron forcën me drejtësinë, dhe zërin e lartë me të drejtën morale. Shteti nuk ndërtohet me dinamit. Dinamiti është simbol i shkatërrimit, jo i ndërtimit.

Të ndërtosh shtet nuk do të thotë të shembësh godina me eksploziv, por të ndërtosh institucione funksionale.
Shteti ndërtohet kur qytetari ka besim te ligji, sepse e di se ai ligj nuk ndryshon sipas interesit të ditës apo statusit shoqëror të atij që e shkel.

Shteti ndërtohet me arsimin, sepse vetëm përmes dijes një komb bëhet i lirë dhe i ndërgjegjshëm. Një shoqëri e edukuar, e arsimuar është shumë më e vështirë të mashtrohet nga zhurma dhe spektakli.

Shteti ndërtohet me shëndetësi ku trajtimi nuk varet nga portofoli, lidhjet apo ndërhyrjet. Një shtet që nuk mbron jetën dhe shëndetin e qytetarëve të vet, nuk është as ligjor, as moral.

Nuk mund të ndërtohet shteti kur ndërtimet pa leje të qytetarëve të zakonshëm shemben me dinamit, ndërsa kulla shumëkatëshe në zemër të Tiranës ngrihen mbi abuzime me ligjin dhe heshtje të qëllimshme institucionale.

Shteti ndërtohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku qytetarët votojnë pa presion, pa blerje, pa frikë. Pa këtë themel, çdo pushtet që lind është i deformuar, dhe çdo ligj që prodhon është i dyshimtë.

Shteti ndërtohet me administratë që punon për njerëzit, jo për partinë.
Shteti ndëtohet me media të lira, jo të blera.

Shteti nuk bëhet me arrogancë, as me propagandë që e përdor ligjin si mjet hakmarrjeje selektive. Shteti bëhet me kushtetutë, ndarje pushtetesh, kontroll e transparencë, jo me shfaqje për rrjetet sociale.

Kush kujton se “bën shtet” duke shembur një ndërtesë me kamera të ndezura, nuk po ndërton shtet — po ndërton frikë.

Dhe një shtet që mbështetet te frika, nuk është as demokratik, as i qëndrueshëm aq më pak një shtet europian në 2030.

Latest articles

Related articles