Në fshatin Beltojë, vetëm pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, është përuruar shtatorja e një prej bijve më të shquar të këtij vendi, martirit të Kishës Katolike, dom Mikel Beltoja, meshtari i fundit i pushkatuar nga regjimi komunist.
Në ceremoninë e përurimit, përfaqësuesit e lartë të klerit katolik në Shqipëri e vlerësuan figurën e dom Mikelit si një pasuri të madhe historike, kombëtare, kishtare dhe shpirtërore. Ata theksuan se, edhe pas shpalljes së shtetit ateist në Shqipëri, ai nuk reshti kurrë së kryeri me përkushtim misionin e meshtarit.
“Vendimin për tu bërë meshtar ai e mori pasi pa me sytë e tij pushkatimin e pjesës më të madhe të meshtarëve, njëri pas tjetrit. Ai e përballoi hapur diktaturën komuniste për të treguar se kur Zoti është pasuria dhe themeli i ekzistencës njerëzore asgjë nuk mund të na mposhtë,” tha Giovanni Peragine, argjipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult.
“Dom Mikel Gjergji jetoi, qëndroi dhe vdiq pikërisht për dinjitet e për identitet. Për identitetin si shqiptar, si i krishterë dhe si njeri i lirë. Prandaj edhe vdiq duke thirrë ‘Rroftë Krishti mbret e rroftë Shqipnia’,” tregoi dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Shtatorja prej bronzi është vepër e skulptorit Sadik Spahija, i cili u shpreh se frymëzimi për këtë krijim ka ardhur nga vetë personaliteti dhe qëndresa e dom Mikel Beltojës.
“Shtatorja duhet të kishte përkushtimin e thellë, mirësinë dhe përvuajtjen, forcën dhe besimin e trupëzuar në të gjithë figurën, gjestin e duhur, ndjesinë e të qenët në kishën e tij, në tokën e tij, në grishën e tij,” tha z. Spahija.
Dom Mikel Beltoja shërbeu si famullitar në Dajç të Bregut të Bunës dhe Barbullush. Në vitin 1973, ai u arrestua nga regjimi komunist dhe pasi mbrojti haptas idealet e tij fetare në gjyqin që iu bë, u pushkatua në vitin 1974 në moshën 39-vjeçare.