nga Sebastian Zonja
Agjenci të ndryshme dhe struktura hoteliere po thonë se këtë verë nuk paska turizëm ashtu siç e prisnin. Faktikisht, ka kaq vite që na thonë se nuk ju duam juve nëpër hotele, por duam turistët e huaj. Ata kanë kulturë, ju s’dini. Ja ku i keni të huajtë që vijnë me duar në xhepa, blejnë një shishe uji në market dhe xhiro rrugëve gjithë ditën! Sheh italianët që rrinë në tavolinë me një pjatë makarona tre orë. Ndërkohë, shih një familje shqiptare se si e mbush tavolinën kur shkon në restorant. I fusin edhe një rritje çmimesh, të japin prodhime deti të ndenjura për të freskëta, mungesë shërbimi dhe, në fund, thonë pse s’më vjen prap ky.
Shkon në Pogradec dhe gjen çmime të arsyeshme. Shkon në Korçë, gjysmë ore më larg, thua se ke vajtur në Ksamil. Pastaj ankohen pse ka turizëm Pogradeci e s’ka Korça.
Revista “Monitor” jepte këto arsye për tendencën rënëse në turizëm:
Së pari, mungon shtresa e mesme e Kosovës, e cila ishte e gatshme të paguante pak më shumë dhe zgjidhte Jugun. Këta të fundit, falë liberalizimit të vizave, por edhe zhvlerësimit që Euro ka pësuar përballë Lekut, kanë zgjedhur të eksplorojnë destinacione të reja.
Së dyti, shtresa e mesme në vend, e cila edhe ajo parapëlqente Jugun, ka pasur tendencën për të zgjedhur destinacione ekonomike në vende të tjera, të cilat kanë qenë mjaft agresive në konkurrencë.
Së treti, turisti i huaj që po viziton Shqipërinë nuk është ai që pëlqen pushimet pasive pranë detit dhe rërës. Janë turistë europianë, kureshtarë, që e kanë parë Shqipërinë të reklamuar si një vend të lirë, që ofron shumë dhe, për këtë arsye, duan të marrin maksimumin me një kosto sa më të ulët.