Thethi
Nën parullën e luftës kundër ndërtimeve pa leje, qeveria nisi aksionin e prishjeve në Theth. U propagandua se shteti ligjor nuk mund të tolerojë ndërtime të paligjshme, aq më tepër brenda një parku natyror. Të them të drejtën, nëse e shohim vetëm kështu, edhe unë do t’i jepja të drejtë. Ndërtimet pa leje nuk mund të tolerohen. Por realiteti është ndryshe.
Unë sot pyes:
A kishte dhe ka vetëm në Theth ndërtime pa leje?
A vazhdoi shteti t’i prishë ato kudo në vend për të rikthyer ligjshmërinë?
Pse banorët e Thethit u goditën, ndërsa në zona të tjera jo?
Çfarë masash u morën ndaj zyrtarëve që kishin detyrë të ndalonin ndërtimin e tyre?
Si mund të ndërtohet një shtet ligjor kur ai vepron me standarde të dyfishta?
A mund të ndërtohet shteti me fushata?
Tendat dhe karriget
Pak javë më parë nisi aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tendat dhe karriget, sërish në emër të “ligjit”. Por sot mund të konstatojmë lehtësisht se ndërhyrjet janë bërë në mënyrë selektive.
Pse disa janë “të nënës” dhe disa “të njerkës”?
Sa ligje ka Shqipëria? Apo kemi nga një ligj për çdo subjekt?
Cilësia e miellit të bukës
Pasi na kanë ushqyer me bukë të përgatitur me miell që përmban vetëm 9% proteinë (shumë poshtë standardeve), nuk na lejojnë as të ankohemi. Madje, edhe kur buka del “si beton”, janë vetë eksponentë të qeverisë që ankohen për këtë. Po kujt i ankohen vallë? Ata vetë kanë në dorë të parandalojnë hyrjen e këtij mielli në treg!
E vërteta përtej propagandës!
E vërteta është që ndërtimet pa leje janë bërë duke dhënë rryshfet te punonjësit e shtetit në zonë, ose me bekimin për vota në zgjedhje.
E vërteta është që tendat dhe karriget në hapësira publike janë vendosur me rryshfet ndaj drejtuesve të policisë bashkiake dhe urbanistikës.
E vërteta është që mielli jashtë standardeve futet në treg me bekimin e autoriteteve shtetërore.
E vërteta është që ky pushtet operon në paligjshmëri, mbijeton përmes saj dhe, ndërkohë, propagandon ligjshmërinë, duke uzurpuar edhe të drejtën tonë për të kërkuar rend dhe drejtësi.
Pra, pasi e shtyn vetë shoqërinë drejt paligjshmërisë, më pas përdor ligjin për të ndëshkuar ata që nuk i binden vijës së partisë, ndërsa i etiketojnë si “antiligj” ata që thonë të vërtetën.
Në fund, në këtë realitet, ai që thotë të vërtetën konsiderohet problemi!