Shkrimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, ishte i ftuar në festivalin e kulturës shqiptare ‘Ditët e shqiptarit’ në Gjakovë.
Duke bashkëbiseduar me të pranishmit dhe moderatorin Ermal Hasimja, Mehmeti deklaroi se, shqiptarët duan secili të ketë nga një parti, ‘pasi e kanë kuptuar se partia është shteti’.
Sipas tij, kjo mendësi e kohës së komunizmit vazhdon edhe sot.
Për shkrimtarin e njohur, qëllimi kryesor duhet të jetë ndërtimi i shtetit dhe jo partia.
Gjatë fjalës së tij në këtë bashkëbisedim, Mehmeti komentoi edhe Kodin e ri Penal në Shqipëri.
Ai tha se Edi Rama ngjan me Enver Hoxhën. Sipas tij, ai i përbuz dhe i përçmon shqiptarët.
Kim Mehmeti tha se Rama nuk e ka popullin e vet.
Shkrimtari i njohur tha se Edi Rama në mënyrë skandaloze shkoi në Bruksel dhe deklaroi se kryeministri i Kosovës po destabilizon rajonin.
Në fjalën e mbajtur në këtë festival, Mehmeti tha se duhet të krijohen elita të reja që të mendojnë për shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.
Në bashkëbisedimin e zhvilluar në Gjakovë, shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar Kim Mehmeti theksoi se, se duhet investuar më shumë në arsimin e shqiptarëve dhe për të mbrojtur familjen si institucion kyç i jetës sonë.
Për të, qarqe të Beogradit po investojnë në shkatërrimin e shkollave dhe familjes shqiptare.
Ne u bëmë shoqëritë më progresive në botë, tha ai.
‘Nuk mund të ndërtohen kauza mbi veset’, theksoi Mehmeti.
‘Ne duhet t’i kthejmë disa vlera’ tha shkrimtari Kim Mehmeti në Festivalin ‘Ditët e Shqiptarit’ në Gjakovë.
Festivali ‘Ditët e Shqiptarit’ mbahet në Gjakovë nga 18 korriku deri më 10 gusht. Fondacioni për Gjakovën është organizator i kësaj ngjarje kulturore.
‘Ditët e Shqiptarit’ veç bashkëbisedimeve me personalitete të njohura shqiptare, sjellin edhe muzikë me artistë të përzgjedhur, aktivitete sportive, panele, gatime shqiptare e atmosferë të gjallë.