nga Altin Gjeta, PHD
Shumica e inteligjencës, gazetarët, shkrimtarët dhe akademikët janë kundër luftës. Afërmendsh askush nuk e don luftën; ajo sjell shkatërrim, mizori dhe plagë shpesh herë aq të thella në trupin kolektiv të shoqërisë saqë mban peng të ardhmen e popujve të përfshirë në konflikt.
Mirëpo lufta është pothuajse gjendje natyrore e njerëzimit thoshte Tomas Hobs. Sado e padëshirueshme, historia njerëzore është e mbushur me konflikte për territore, pasuri, fe’, prestigj dhe dominim. Kjo nuk ka gjasë të ndryshojë as sot as në të ardhmen pavarësisht konventave dhe ligjit ndërkombëtar.
Shpërthimi i konfliktit në Gaza ka shkaktuar në mënyrë të kuptueshme një valë indinjate në rrethet e inteligjencës në Perëndim. Të vrarët mes popullsisë civile, shkatërrimet materiale dhe akuzat për genocid në Gaza janë mjaftueshëm indinjuese dhe ngrejnë pytje të rëndësishme në rrafshin moral dhe etik; çfarë është lufta?, kush janë limitet e saj?, kush lufton kë, me çfarë mjetesh dhe objektivi? Të gjitha këta shqetësime janë legjitime.
Megjithatë, gjykimet morale pas tastierës dhe katedrave janë shpesh të shkëputura nga realiteti në terren. Ngarkesat idelogjike dhe shpesh fetare rreth konflitik Palestinezo-Izrealit e bëjnë edhe më të vështirë zhvillimin e një debati realist. BBC dhe New York Times raportojnë për bllokadë ushqimore dhe numër të lartë viktimash në Gaza, ironikisht duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë së Hamasit, grupt militant që qeveris Gazën.
Nuk ka dyshim që ajo që po ndodh me popullsinë civile në rripin e Gazës është një katastrofë humanitare e shkaktuar nga njeriu. Por, lentet ideologjike duket se refuzojnë për shkak të degëve të shikojë trungjet në pyll.
Qysh prej vitetve 1960 lëvizjet pacifiste dhe antikoloniale kanë ndërtuar një narrativë dominuese ku Izraeli është djali i keq pavarësisht dinamikave në terren. Shikoni sesi Hamasi, një organizatë terroriste që kreu sulm në tetor 2023 në Izreal, vrau rreth 1200 izraelit dhe mori peng 250 të tjerë, është fshirë nga piktura e raportimeve rreth konflitik. Sulmi i Hamasit ndaj Izrealit dhe betimi për ta zhdukur si shtet janë pikënisje e konflitit të fundit në Gaza. Sot, pak-kund përmendet ky fakt.
Kush priste që Izraeli të rrinte duarkryq ndërsa u sulmua dhe iu morën peng qytetarët nuk kupton asgjë nga lufta. Konflitet nuk janë vallëzim në fusha, por beteja me objektiva strategjik. Hamasi si organizatë luftarake e dinte fort mirë këtë pas aktit terrorist të tetorit 2023. Prandaj, kur vjen puna tek pasojat në popullsi civile në Gaza, Hamasi është një nga fajtorët sepse e gjithë strategjia e vet luftarake është e bazuar tek lufta geurrile ku gazanët përdoren si mburojë njerëzore. Raportimet ushtarake nga Gaza tregojnë se Hamasi nuk lejon qëllimisht zhvendosjen e popullsisë civile duke krijuar kushtet për pasoja të rënda luftarake. Nuk jam mbështetës i madh i krahasimeve, por mendoni sikur UÇK në Kosovë të pengonte largimin e shqiptarëve gjatë luftës 1998-1999? Dhe për ta shmang keqkutimet dhe saktësu problemet me krahasimet, UÇK nuk është Hamasi, se UÇK kurrë nuk ka sulmuar popullsi civile por ka qenë forcë mbrojtëse dhe ka luftu për liri. Pra, për tu kthyer tek argumenti, për ilustrim vetëm imagjinoni për një moment nëse UÇK do të mendonte ngushtësisht për egzistencën e vet dhe vepronte si Hamasi sot, gjasat janë që lufta në Kosovë të kishte marrë jetën e shumë civilëve.
Në çdo konflikt popullsia civile zhvendoset. Për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë, miliona ukrainas kanë ikur nga vendi. Megjithatë, popllësia civile është prekur, dhe vijojnë të vriten apo të rrëmbehen fëmijë në Ukrainë, por askush në Prëndim apo në rrjetet sociale në Shqipëri nuk indinjohet.
Për më tepër, në gjithë historinë e luftës dhe akuzave për krime lufte në Gaza harrohet një aktor i dytë; Egjipti i cili është i vetmi vend me kufij tokësor me Gazën. Qysh me fillimin e luftës, Egjipti ka refuzuar të hapë kufirin për palestinezët e Gazës sepse i druhet destabilitet në Sinai. Hamasi është degë e Vllazërisë Muslimane, prandaj Egjipi ka qenë i gatshëm të sakrifikojë Gazën nën zjarr për të ruajtur pushtetin në Kajro. A është moralisht Egjipi fajtor në Gaza? Askush nga ata që kanë “besime luksi” në kohë lufte siç i quante Nill Ferguson nuk flet për këtë. Prap, imagjinoni në një moment sikur Shqipëria dhe Maqedonia të mos hapnin kufinjtë për shqiptarët e Kosovës në 1998? Forcat serbe do të masakronin popullsinë civile siç bënë në shumë raste.
Për të mbetur tek gabimet konceptuale dhe empirike të krahasimit, në asnjë rast deri më tash nuk provohet se forcat izraelite kanë qëlluar mbi popullsinë civile me qëllim (deliberately). Një ushtarak britanik madje thotë se nëse Izreali do të kishte qëllim spastrimin etnik të Gazës, i ka të gjitha kapacitetet për ta realizuar; as nuk do të futej me trupa në Gaza, apo furnizonte me vaksina popullsinë civile atje. Por, ndërsa lufton Hamasin, kush aktor ushtarak nuk do të priste rrjetin e furnizimit të kundërshtarit, argumenton Andrew Fox, ish-ushtarak i lartë britanik.
Së fundi, veçanërisht në rrjetet sociale në Shqipëri vihet re një ndjeshmëri e lartë e paraqitur si humanizëm ndaj viktimave civile Gaza. Ndërsa është shumë e pëlqyeshme të jesh me viktimat në luftë, nuk e shikoj të njëjtën ndjeshmëri për viktimat civile në Ukrainë apo në Sudanin Jugor ku ka një luftë të tmerrshme prej disa kohësh. A janë më pak civil ukrainasit dhe sudanezët, apo ngatërrohen sentimentet fetare në këtë histori, besoj nuk është pyetje e hapur.
Mes emocionit fetar dhe idealeve morale, harrohet se konflikti Palestinzo-Izrealit është në thelb luftë mes dy popujsh që pretendojnë të njëjtin territor. Thënë shkurt, është konflikt shtetësie, jo feje.
Në një pjesë madhe kjo është edhe arsyeja pse konflikti Palestinzo-Izrealit konsiderohet shpesh si një problem pa zgjidhje. Hamasi dhe grupi ortodoks Izraelit i udhëhequr nga kryeministri Netanjahu kontribojnë në këtë ngërç edhe më shumë për shkak se e shikojnë përplasjen sipas formulës së shumatores zero; nëse fiton njëra palë, tjera humbet krejtësisht.
Për ta mbyllur, po, Gaza është një tragjedi njerëzore. Le të flasim për Izraelin, por kush harron Hamasin, Egjiptin dhe një pjesë të perëndimit në këtë histori e drejton gishtin në ajër. Palestinezët meritojnë dhe duhet të kenë shtetin e vet. Sa më parë çlirohen nga Hamasi dhe të pranojnë të drejtën e Izraelit për të egzistuar, aq më shpejt do t’i materalizojnë ëndrrat e tyne për mëvetësi dhe paqe të qëndrueshme.