Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë publike sot rezultatet e një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet gjermane, të koduar “Pandora”, i cili çoi në zbardhjen e një skeme mashtrimi në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht nga Gjermania.
Prokurori Eneid Nakuçi dha detaje për operacionin realizuar më 18 prill të vitit të kaluar ku nga kontrolli i një ambienti në një call center të paligjshëm, janë sekuestruar prova materiale.
Hetimet
Prokurori i Posaçëm Eneid Nakuçi bëri me dije se gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e një grupi personash që vepronin përmes një call center-i të vendosur në territorin shqiptar.
Sipas tij, shtetasit e përfshirë përdornin identitete të rreme, duke u prezantuar si oficerë të policisë gjermane, me qëllim mashtrimin e qytetarëve të cilëve më parë u ishin premtuar hetime dhe rimbursim për humbje në tregje të investimeve si Forex dhe kriptovaluta.
Operacioni “Pandora” u zhvillua në vijim të një hetimi të nisur në fund të vitit 2023 në Gjermani, i cili u pasua më pas nga hetime të thelluara në Shqipëri në fillim të vitit 2024.
Gjatë operacionit, në territorin shqiptar, janë ushtruar kontrolle në ambiente të identifikuara si call center, ku janë sekuestruar prova materiale, dokumentare dhe digjitale.
Bazuar në provat e mbledhura, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për caktimin e masave të sigurimit personal për 8 persona, ku:
-5 janë vendosur në masën “arrest në burg”,
-3 në masën “arrest në shtëpi”.
Sipas prokurorit, mëngjesin e sotëm është bërë i mundur ekzektuimi i masave të sigurisë për të gjithë personat që gjendeshin në territorin e Shqipërisë. Vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë që nuk ndodhen në territorin shqiptar.
Vlera e dëmit të shkaktuar ndaj katër viktimave tejkalon 363 mijë euro.
Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet gjermane për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe rrjetin e plotë të këtij aktiviteti të paligjshëm ndërkombëtar