Kompania lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 11 Majit, i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit heqjen e “non gratës” për kreun e PD-së, Sali Berisha.
Në një dokument prej 23 faqesh, të publikuar thuhet që në hyrje të tij se përcaktimi i Berishës si person ‘non grata’ dëmtoi politikën e jashme amerikane.
Continental Strategy vijon më tej argumentet e saj duke thënë se heqja e këtij përcaktimi për liderin e opozitës duhet bërë edhe për faktin se Berisha tani nuk është më një politikan aktiv.
“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”, thuhet në materialin e hartuar nga kompania lobuese amerikane.