Juristi Ylli Manjani ka kritikuar ashpër draftin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të padrejtë për qytetarët.
I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Manjani tha se ky nen përzien të drejtën civile me atë penale dhe mund të çojë në konfiskime pronash pa prova konkrete.
Manjani kujtoi se aktualisht sekuestrimi i pasurisë bëhet vetëm për persona të dyshuar për krime, ndërsa drafti i ri prek çdo qytetar.
Manjani: Ngatërresa e poshtër, fashiste e të drejtës civilie me të drejtën penale, është një gjë që duhet neveritur. Ka një nen atje që është përsëritur disa herë, që thotë “pasurimi i paligjshëm i kujtdo, të ndalon polici në rrugë dhe të thotë këtë xhaketën ku e ke blerë se nuk ma mbush mendjen ti mua”.
Gazetarja: Pse kështu është, prit se duhet ta lexojmë këtë tani.
Manjani: Po, po. SKandal! Ju thashë pak më parë, duhet mbrojtur pasuria, ky është qëllimi. Nuk mundet kodi penal të jetë arma e grabitjes së pronës. Është e tmerrshme. Kjo është normale vetëm për shoqëritë bolshevike, kjo është majmunizëm nuk është logjikë. Aktualisht kjo bëhet me ligjin antimafia vetëm për persona që indicie që ka vepër penale, kjo është tjetër gjë. Në kodin e ri është për çdo qytetar. Nuk ka sot shqiptar që me standardet e vetingut që ka shpikur reforma të justifikojë pasurinë. Nëse qëllimi është që të vëmë një stekë si t’u marrim pronat shqiptarëve, kjo është steka”, tha Manjani.
Lidhur me draftin e Kodit të ri Manjani, u shpreh se, kryeministri Rama sipas tij po hesht qëllimisht dhe po bën mirë.
Sipas tij, Rama është duke parë se sa po përqafohet ky Kod nga shoqëria.
Manjani: Dua të them që ne mund të marrim gjëra qesharake sa të duash, ajo që i mungon këtij projekti është boshti logjik proporcional dhe mendimi politik. Edhe shikon, kryeministri i vendit nuk flet dhe mendoj që ka bërë qasjen e duhur. Kemi rënë dakord që mund të ketë probleme, por budalla nuk është përderisa është aty. Unë mendoj që qasja është e duhur, mendoj që po e bën për të parë sa shoqëria është e gatshme dhe grupet e interesit të gatshme. Ky projekt ka nevojë për një kod të ri të procedurës penale dhe këtu ka të drejtë Prokurori i Përgjithshëm.”-tha Manjani.