Prokurorja e Tiranës, Eranda Laze (Felaj) është larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli këtë të martë, më 29 korrik, vendimin për shkarkimin nga detyra. Ajo është dhe motra e deputetes socialiste Ermonela Felaj.
Sipas Kolegjit, është I drejtë pretendimi i institucionit të Komisionerëve Publikë dhe drejtuesit të SPAK se prokurorja Eranda Laze dhe bashkëshorti i saj janë në pamundësi për të vërtetuar burimet financiare të ligjshme për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në vlerën 40 mijë euro dhe për këstin e fundit.
Po ashtu, trupa gjykuese ka gjetur të drejtë dhe shkakun e ankimit për pamundësinë e krijimit të gjendjes cash, për arsye të mosvërtetimit të ligjshmërisë së të ardhurave të bashkëshortit nga avokatia. Sipas KPA, për këto të ardhura nuk u provua shlyerja e detyrimeve tatimore.
Për një ngastër toke dhuruar bashkëshortit, trupi gjykues i KPA vlerësoi se subjekti nuk shpjegoi bindshëm marrëdhënien e bashkëshortit me dhuruesit, raporton BIRN.