“Telefoni është korrespodencë, jo send. Prokurorët nuk mund t’i marrin pa vendim Gjykate dhe nuk mund të zhyten në to të shohin ç’ju ka ënda. Sipas vendimit të sotëm të Kushtetueses, hapja e telefonit bëhet vetëm në prani të gjykatës, ku prokurori kërkon leje për të parë/marrë pjesë specifike të komunikimit për llogari të hetimit dhe njëherësh personi mund të kundërshtojë para gjykatës marrjen e një elementi nga telefoni i tij” – analizon gazetarja Esiona Konomi.
VENDIMI
Gjykata Kushtetuese i ka vënë kufi SPAK-ut duke përcaktuar se nuk nuk mund të ketë më sekuestrim celularësh pa një vendim gjykate.
Rasti ka të bëjë me kërkesën e Onejda Ymerit, e cila ankimoi vendimet e Apelit të Gjykatës së Posaçme dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për sekuestrimin e celularit të saj lidhur me hetimet ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Ajo pretendoi se i është cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës (komunikimi privat midis individëve) dhe të dhënat personale.
Në vendim thuhet se SPAK duhet të fshijë menjëherë kopjet e korrespondencës që nuk kanë lidhje me hetimin, në kuadër të të cilit i është sekuestruar celulari.
Sipas Kushtetueses, sekuestrimi i celularit nuk është thjesht send, por sekuestrim korrespondence, dhe korrespondenca garantohet në Kushtetutë e mbrohet nga arbitrariteti.
“Nëse prokuroria e sekuestron në urgjencë, duhet shkuar në gjykatë. Gjykata nuk mund të lejojë shqyrtim të gjerë të të dhënave në telefon, por duhet të jetë specifike se çfarë syri duhet të shohë,” – thotë Kushtetuesja.
Më tej, Kushtetuesja udhëzon se çfarë duhet të mbahet nga materialet e nxjerra nga celulari i Onejda Ymerit për hetimin, do ta vendosë gjykata. SPAK dhe Onejda Ymeri do të përballen në gjykatë, ku do të filtrohet në debat gjyqësor se çfarë do të marrë apo jo Prokuroria e Posaçme nga telefoni, për nevoja të hetimit.
Celulari i Onejda Ymerit u sekuestrua nga OPGJ pa vendim gjyqësor, dhe Kushtetuesja nënvizon se celulari nuk është send, por korrespondencë, dhe duhej që gjykata të jepte vendim konkret për sekuestrim korrespondence, por një vendim i tillë ka munguar.
Gjykata Kushtetuese thekson se çështjet të cilat janë ende në proces, preken nga vendimi i sotëm, duke vendosur kështu një precedent dhe standard të ri për mënyrën se si duhet të veprohet nga organet e akuzës për sekuestrimin e sendeve që përmbajnë të dhëna personale