Sekretari Rubio sulmon Maduron: Lider narko-terrorist!

spot_img
Advertisements

nga Elton Metaj

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, sulmoi ashpër Presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, duke e akuzuar si liderin e një organizate narko-terroriste, teksa vendi përgatitet të zhvillojë zgjedhjet lokale.

“Maduro është lideri i organizatës së përcaktuar si narko-terroriste ‘Cartel de Los Soles’ dhe ai është përgjegjës për trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara dhe Europë”, u shpreh sekretari Rubio. Ai shtoi se, “Maduro, aktualisht i paditur nga vendi ynë, ka korruptuar intitucionet e Venezuelës për të ndihmuar skemat kriminale të kartelit të narkotrafikut në Shtetet e Bashkuara”.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar Maduron dhe 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Venezuelës për narko-terrorizëm, korrupsion, trafik droge dhe akuza të tjera kriminale në mars 2020.

Në fillim të këtij viti, vetëm 10 ditë përpara se Presidenti Trump të merrte detyrën, Departamenti i Shtetit e rriti shpërblimin për informacione për kapjen e Maduros, nga 15 në 25 milionë dollarë.

Sekretari i Shtetit këmbënguli sot se për vite me radhë Maduro dhe njerëzit e tij kanë manipuluar sistemin elektoral të Venezuelës për të mbajtur grupin e tyre të paligjshëm në pushtet. Rubio kritikoi parashikimin e zgjedhjeve vendore, vetëm një vit pas zgjedhjeve të manipuluara presidenciale.

“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët për të bërë përgjegjës regjimin e korruptuar, të paligjshëm dhe kriminal. Ata që vjedhin zgjedhjet dhe përdorin forcën për të mbajtur pushtetin minojnë interesat e sigurisë kombëtare të Amerikës”, tha sekretari i Shtetit, Marko Rubio.

Maduro erdhi në pushtet në Venezuelë në vitin 2013, por Shtetet e Bashkuara nuk e njohin presidencën e tij prej vitit 2019. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë refuzuar ta njohin Maduron si fitues të zgjedhjeve të vitit 2024, duke e akuzuar për manipulime.

Departamenti i Thesarit të premten e sanksionoi “Cartel de los Soles”, i njohur si Karteli i Diejve si “organizatë terroriste botërore”. Sipas SHBA, ky kartel drejtohet nga Maduro dhe individë të tjerë në nivele të larta të regjimit, “të cilët kanë korruptuar institrucionet e qeverisë së Venezuelës, përfshirë pjesë të ushtrisë, aparatit të inteligjencës, legjislativit dhe gjyqësorit për të ndihmuar përpjekjet e kartelit të trafikojë drogë në Shtetet e Bashkuara”/Komenton.net

Latest articles

Related articles