Një organizatë e sofistikuar kriminale e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës, dhe që drejtohej nga shqiptarë, është goditur nga Prokuroria e Posaçme pas një hetimi edhe me autoritetet të huaja ligjzbatuese. Sipas SPAK, rrjetit ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë të cilët janë identifikuar që të gjithë dhe janë nën hetim, i janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme nxorri 7 urdhër-arreste, prej të cilëve u arrestuan 6 persona ditën e premte (25 Korrik), ndërsa personi i 7-të është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet se fshihet në Dubai.
Në pranga janë vënë Artur Hoxhosmani., Klevis Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj, Erjon Alibej (i arrestuar më herët), Plarent Dervishaj (i arrestuar më herët) dhe Ilir Lloshaj. Në kërkim është shpallur D.P., i cili ka edhe dy identitete të tjera (D.B. alias E.S.). SPAK thotë se gjatë aksionit për arrestimin e Artur Hoxhosmani, në banesën e tij u gjetën edhe 3 pistoleta pa leje.
Rrugët e trafikut të drogës
Prokuroria e Posaçme thotë se grupi i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.
Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta në Kolumbi ose nga Ekuadori dhe transportohej me konteinerë detarë drejt porteve të mëdha si Anversi në Belgjikë dhe Rotterdami në Holandë, apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.
Hetimi ka qenë kompleks dhe është kryer nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky Ecc”.
Anëtarët e organizatës kriminale e fshihnin kokainën në paleta me dru kur transportohej përmes Belgjikë e Francës, në kuti me banane dhe në thasë me kokrra kakaoje kur ngarkesa kalonte në Rotterdam dhe zona të tjera të Holandës.
Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve.
Shumica e tyre, sipas SPAK, jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai.
Ndërsa bashkëpunëtorët e grupit kriminal siguronin logjistikën dhe transportin. Ata gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë të huaj dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte hallka e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.
Prokuroria e Posaçme ka zbuluar se anëtarët e grupit kriminal kishin akses në infrastrukturën doganore në vendet e BE-së përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli.
Për SPAK, mbeten ende të paidentifikuar personat përgjegjës në vendet e Amerikës Latine që kishin për detyrë të siguronin dhe dërgonin kokainën drejt porteve të Evropës.