Ditën e sotme është prezantuar drafti i kodit të ri penal, i cili pritet të hidhet për diskutim publik në ditët në vijim.
Gjatë fjalës së tij në prezantim, Profesor Arben Rakipi tha se një klauzolë e këtij drafti është edhe lirimi para kohe me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm.
Kjo pasi sipas profesorit, njerëzit ndryshojnë gjatë kohës së qëndrimit në burg, teksa shtoi se një gjë e tillë aplikohet edhe në shtete të tjera perëndimore.
“Dua të ndalem te lirimi para kohe me kusht. Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit para kohe me kusht, lidhur me burgimin e përjetshëm. Diskutimi i gjatë u mbyll me propozimin që po, ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht, për dënimin me burgim të përjetshëm. Duhet të më besoni, është një propozim shumë i guximshëm. Debati ka qenë i fortë. Këtu pleksen shumë gjëra, viktima, procesi i riedukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend.
Nisur nga besimi, që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen nga kushtet në të cilat vendosen dhe nëse puna me ta është e efektshme. Kjo nuk është një parrullë e thënë për shkak të formimit tim, por është një eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej. Prandaj edhe ne e propozuam këtë zgjidhje. Se çfarë fati do të ketë kjo zgjidhje…”, tha mes të tjerash Rakipi