Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur 30 persona dhe shoqëri tregtare në të njëjtën dosje me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Të pandehur janë Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, biznesmenët Elman Abule, Mirton Lika, Sokol Kryeziu, Fatmir Bektashi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, Meriman Palushi, ish-vartëset e Ajola Xoxës, Ina Goxhaj, Adela Kondakçiu e Flutur Xhani, daja i Ajola Xoxës, Erald Simixhiu, si dhe Frosina Bollo, të gjitha shoqëritë tregtare të biznesmenëve.
SPAK i ka komunikuar akuzën edhe Klotilda Bushkës, ish-deputete e PS-së, e cila akuzohet për veprën penale “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”. Ajo akuzohet se ka kërcënuar Ina Goxhajn që të mos dëshmonte në SPAK kundër çiftit Xoxa–Veliaj.
Nën akuzë është marrë edhe polici i burgjeve Fatjon Baçi, pasi Veliaj përdori celularin e tij për të biseduar me familjarët e tij teksa po e shoqëronin nga paraburgimi i Durrësit në drejtim të Gjykatës së Posaçme të Apelit.