Policia ka reaguar në lidhje me shpërthimin e fuqishëm me eksploziv që ka tronditur lagjen nr.3 të qytetit bregdetar të Sarandës.
Tritoli dyshohet se ishte vendosur pranë një automjeti, në afërsi të banesës së Klaus Jaçes, i shpallur në kërkim nga policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, si në automjetin e parkuar, ashtu edhe në banesat përreth. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas”, njoftoi Policia.
Klaus Jaçe është shpallur në kërkim pas ngjarjes të ndodhur më 17 korrik pranë stadiumit të qytetit, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit Ernest Lama, 25 vjeç, dhe Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç.