Herë pas herë Edi Rama kujtohet për Lulzim Bashën. Kënaqet me cilësimin “artist”. E përqesh si asnjë tjetër. I kujton se e ka mundur në disa palë zgjedhje dhe Luli, siç e quan ai dhe Doktori, e ka mundur veç një herë në 2011.
Dhe këtu është zanafilla.
Lul Basha e ka mundur një herë Edi Ramën dhe këtë e ka bërë i vetëm, pa Berishën, pa Ristanin siç ka përhapur dynjanë Rama me sojin e tij sepse Berisha ishte dhe me Olldashin në 2007 por e mundi me 20 mijë vota diferencë, ndërsa Basha jo vetëm që rikuperoi 20 mijë vota, por e tejkaloi plus minus 10 vota. Ahere ishte ylli në ngjitje i amerikanëve.
Përkundër Edi Rama e ka mundur Bashën disa herë por jo vetëm, por me shokë partie e shokë biznesi. E ka mundur me të gjithë forcën e pushtetit, administratën dhe oligarkët që e shajnë Lulin edhe sot sa herë e shohin në TV. Kanë hapur faqe memesh dhe portale kastem për ta denigruar dhe degjeneruar me porosi. Të gjitha bandat më të rrezikshme kanë mbledhur vota për të, nga Shkodra, Durrësit, Elbasani e Vlora. Për të mos folur për çunat e Dubait, Spanjës e Londrës.
E ka mundur me shokë, kriminelë e rrengje ligjore e kushtetuese, me McGonigal e Yuri Kim, me lekë dhe favore në natyrë, me gjithçka që ka patur në dorë dhe mendjen. Madje edhe me ndihmën e vetë Bashës. Por asnjëherë vetëm, as tek për tek, as në ndeshje fair.
Në zgjedhjet e fundit, Rama ia bëri gropën Lulit së bashku me Doktorin. Jo vetëm që i dha çelësat e Partisë Demokratike me gjyqtarët e tij të lartë, njëra kunata e Belës tjetra gruaja e shefit të komisariatit të tij, por i blenë edhe kandidatët që kishte nxjerrë për një ose 2 mandate. Inati i shqiptari kudogjendet në politikë. Dhe Rama është inatçiu më i madh në qarkullim, veçse luftërat nuk i bën vetë, i bën me shokë e miq, madje edhe me armiq të armiqve.