Intervistoi: Aranit Muraçi
Kozeta Miliku është shqiptarja e vlerësuar nga prestigjiozja “The Globe and Mail” si një nga 5 shkencëtaret e reja më premtuese në një nga shtetet më të zhvilluara në botë si Kanadaja.
Kozeta përfundoi studimet e larta në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë ku u largua më pas përmes një burse për të ndjekur studimet pasuniversitare, fillimisht në Holandë dhe më pas u zhvendos në Kanada, aty ku jeton prej vitesh. Në Toronto ajo krijoi familjen e saj dhe paralelisht në një kohë relativisht të shkurtër zhvilloi një karrierë të shkëlqyer akademike.
Suksesi i Kozeta Milikut tregon se bota shkencore nuk është mision i pamundur për studiuesit shqiptarë, përkundrazi, është një rast për të treguar se universitetet tona duhet të fokusohen më tepër te konkurenca ndërkombëtare, të kërkojnë burime financiare, por më tepër se kaq të dinë se si dhe ku t’i adresojnë ato, t’i motivojnë si duhet më të talentuarit, për arritje të ngjashme në fushën e kërkim-zhvillimit.
“Shqipëria ka akademikë, mjekë dhe kërkues të shkëlqyer shkencorë, por për t’i mbajtur e për t’i zhvilluar, duhet strategji afatgjatë dhe besim tek shkenca si motor i zhvillimit” thotë Kozeta Miliku.
Kozeta pranoi me kënaqësi të bëhej pjesë e “Liberale” në një intervistë ku mes të tjerave flet mbi përvojën dhe suksesin e saj të jashtëzakonshëm që ka arritur në Kanada mbi kontributin e saj në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe brezave të ardhshëm.
- Kozeta, jeni vlerësuar kohët e fundit si një ndër pesë shkencëtaret më premtuese në Kanada. Sa i vështirë ka qenë udhëtimi juaj drejt një suksesi të tillë e të rrallë, për të fituar konkurencën në një nga vendet më të zhvilluara dhe të admiruara në botë?
Udhëtimi im ka qenë i gjatë, shpesh i vështirë, por edhe i mbushur me rritje dhe përvoja që më kanë formuar si njeri dhe si shkencëtare. Të konkurrosh në një vend si Kanadaja, ku niveli i shkencës është ndër më të lartët në botë, kërkon shumë përkushtim, durim dhe sakrifica personale. Por për mua, çdo pengesë ka qenë një mundësi për të mësuar dhe për të qëndruar e fokusuar te qëllimi: të kontribuoj në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve dhe brezave të ardhshëm.
- Për çfarë vlerësimi bëhet fjalë më konkretisht, dhe çfarë besoni se ju ka ndihmuar më tepër për të gjetur rrugën e duhur drejt suksesit?
Për “Ditën e Kanadasë”, gazeta “The Globe and Mail”, një ndër gazetat më prestigjioze në Kanada, përzgjodhi pesë kërkues shkencor më premtues të brezit të ri në mbarë vendin, të cilët ishin nominuar nga universitetet përkatëse, në rastin tim Universiteti i Torontos. Normalisht, është një nder i madh, por edhe një moment reflektimi dhe përgjegjësie. Besoj se ajo që më ka ndihmuar më shumë ka qenë këmbëngulja, pasioni për kërkimin shkencor, puna në ekip, me studentët, dhe dëshira për të ndikuar në mënyrë pozitive në shëndetin publik, sidomos tek fëmijët. Mbi të gjitha, kam pasur fatin të punoj me mentorë dhe kolegë të jashtëzakonshëm që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim.
- Si një model për shumë të rinj, nxënës, studentë apo për të gjithë ata të cilët duan që suksesin ta lidhin me dyrt që hap arsimi dhe dija, cili do të ishte mesazhi juaj?
Mos kini frikë të ëndërroni dhe të punoni fort për ato ëndrra! Arsimi dhe dija janë çelësa të fuqishëm që hapin dyer kudo në botë. Rruga nuk është gjithmonë e lehtë, por çdo hap drejt dijes është një investim që nuk humbet kurrë. Mos u dorëzoni edhe kur hasni vështirësi, suksesi nuk vjen menjëherë, ndonjëherë do ndiheni edhe sikur po dështoni, por me përkushtim dhe vullnet të palëkundur, ai bëhet i arritshëm.
- Dini nëse ka një vlerësim të tillë edhe në Shqipëri, duke qenë se mediatikisht nuk është dëgjuar të flitet për studiuesit premtues?
Unë kam vite që jam larguar nga Shqipëria dhe nuk jam mirë e informuar me situatën atje. Duke thënë këtë, nuk jam në dijeni që një vlerësim i ngjashëm të ekzistojë aktualisht në Shqipëri në nivel kombëtar. Besoj se studiues të shkëlqyer ka plot, por shpesh mungon njohja publike dhe mediatike e punës së tyre. Do të ishte shumë e rëndësishme që edhe në Shqipëri të promovohen shkencëtarët premtues, sidomos të rinjtë, pasi kjo jo vetëm i motivon ata, por edhe krijon një kulturë që vlerëson dijen dhe kërkimin.
- Nisur nga eksperienca juaj jashtë, çfarë do të donit të ndryshonte përsa i përket qasjes që ka vendi ynë me kërkimin shkencor dhe arritjet rreth kësaj fushe?
Nga përvoja ime jashtë, ajo që do të doja të shihja më shumë në Shqipëri është një angazhim më i madh institucional ndaj kërkimit shkencor, për shëmbull më shumë financime, mbështetje për të rinjtë që duan të ndjekin karrierë akademike dhe krijimi i një ambienti ku kërkimi është prioritet kombëtar. Shqipëria ka akademikë, mjekë dhe kërkues të shkëlqyer shkencorë, por për t’i mbajtur e për t’i zhvilluar, duhet strategji afatgjatë dhe besim tek shkenca si motor i zhvillimit.
- Si është pritur ecuria dhe vlerësimi juaj në Kanada nga studiuesit brenda dhe jashtë kufijve, apo edhe të tjerë shqiptarë të zakonshëm?
Reagimet kanë qenë shumë të ngrohta dhe emocionale, si nga kolegë në Kanada dhe jashtë, ashtu edhe nga bashkëatdhetarë që nuk më njohin personalisht. Kam marrë shumë mesazhe mbështetjeje dhe krenarie nga shqiptarë kudo në botë, dhe kjo për mua është shumë domethënëse. Është një ndjesi e bukur kur sheh që puna jote rezonon përtej laboratorit apo zyrës, dhe prek njerëz që ndihen përfaqësuar apo frymëzuar nga rrugëtimi yt.
- E shihni veten në një të ardhme, sërish në Shqipëri?
Shqipëria është gjithmonë në zemrën time dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë për të kontribuar drejtpërdrejt në të ardhmen; qoftë në kërkim, edukim, apo përmes bashkëpunimeve akademike. Më pëlqen të mendoj që njohuritë dhe përvoja që kam fituar jashtë mund të kthehen në një formë shërbimi për vendin tim.